Privatizimi Live

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton se sot ( e mërkurë) do të mbahet ceremonia e hapjes së ofertave për Valën 51 të privatizimit, përmes të cilës janë tenderuar 42 ndërmarrje të reja të krijuara nga 30 ndërmarrje shoqërore dhe këtë ceremoni do ta transmetoj drejtpërdrejt përmes internetit.
Sipas një njoftimi të AKP-së, tash e tutje të gjitha ceremonitë e shitjeve nga kjo Agjenci do të transmetohen Live, duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://fms.artmotion.net/akp/akp.html, dhe kjo mundëson përcjelljen nga të gjithë të interesuarit brenda dhe jashtë vendit.
“Kutia ku do të dorëzohen ofertat është e tejdukshme dhe do të jetë në fokusin e kamerave gjatë gjithë kohës së dorëzimit të ofertave, hapjes së ofertave dhe leximit të çmimeve të ofertuesve”, thuhet në njoftim.
Dorëzimi i ofertave për Valën 51 që do të mbahet sot, do të bëhet nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Ndërsa hapja e ofertave dhe leximi i çmimeve do të filloj në orën 12:30.
Transmetimi Live i ceremonive të shitjeve të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre, sipas AKP-së, paraqet edhe një hap tjetër të Agjencisë në synimin e saj për ngritjen e transparencës dhe transmetimit të ofertimit publik dhe konkurrues.