“Privatizimi i ish-Ekspozitës, i ligjshëm - do t’u kthehet pronarëve të truallit”
Ministri Genc Ruli
Ministri Genc Ruli ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Socialiste rreth privatizimit të Ekspozitës “Shqipëria Sot”. Ai ka deklaruar se ky objekt është privatizuar në bazë të ligjit, ku të drejtën e parablerjes e kanë pronarët e truallit. Ministri Ruli u shpreh se akuzat e PS-së janë krejtësisht të pavërteta, pasi ekspozitën e privatizuan pronarët e ligjshëm të truallit.
Lidhur me prishjen e kontratës që Top Channel ka pasur tek ekspozita, Ruli ka deklaruar se kjo prishje ka qenë e parashikuar në një nen të kësaj kontrate, të nënshkruar nga vetë Top Channel, ku thuhet se kjo kontratë mund të prishet para afatit në rast se objekti del në privatizim.
Ruli tha se ndonëse Rama propagandohet për një luftë antikorrupsion, në vetvete është kthyer në një person pro korrupsion, porsa kohë tenton të fshihet ndaj përgjegjësive ligjore që rëndojnë mbi të.
“E shitur si një fushatë antikorrupsion, në të vërtetë fushata e ndërmarrë kohët e fundit nga Edi Rama është fushata më e organizuar dhe më e orkestruar deri më sot pro korrupsionit, për sa kohë synon vetëm të fshehë provat që të çojnë drejt krimeve që po zbulohen dhe të fusë opinionin publik dhe organet e drejtësisë në një rrugë qorre”, tha ministri Ruli.
Duke iu referuar çështjes së koncesioneve, ai tha se në vitin 2008, me iniciativë të PS dhe me kërkesë të tyre, u kërkua ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për koncesionet.
“Ky komision pasi u ngrit, ndonëse iu vu në një kohë rekord në dispozicion gjithë materiali i dosjeve të koncesioneve nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e mbylli punën pa e nisur mirë për shkak se e kuptoi që në kontaktin e parë me dokumentet zyrtarë se asnjë nga akuzat e pretenduara nuk qëndronte. Në qoftë se zoti Rama dhe PS duan t’u vërtetojnë shqiptarëve se qëllimi e vullneti i tyre i vetëm në këtë fushatë që kanë ndërmarrë është zbulimi i së vërtetës dhe ligjshmërisë në veprimet e shtetarëve e zyrtarëve, kanë vetëm një rrugë, në seancën më të parë të parlamentit me 16 shtator, të vijnë dhe të kërkojnë ringritjen e këtij komisioni investigues dhe të shqyrtojnë të gjitha dosjet e koncesioneve që janë dhënë deri më sot”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Genc Ruli.