“Raporti konfirmon performancën pozitive të Shqipërisë”

Vizat, ministri Lulzim Basha
Vendimi i Parlamentit Evropian për të vlerësuar pozitivisht raportin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë është tregues i vullnetit të mirë të Brukselit dhe të performancës së Shqipërisë si vend partner i Bashkimit Europian. Kështu u shpreh dje ministri i Brendshëm Lulzim Basha, duke përshëndetur vendimin e dy ditëve më parë të komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, i cili konfirmoi raportin e eurodeputetes Tanja Fajon dhe vlerësimin e ekspertëve të Brukselit, për plotësimin e kushteve të autoritete shqiptare.
“Procesi i heqjes së vizave, të cilit po i afrohet fundi ka qenë tërësisht një proces i mbështetur në performancën dhe arritjet e palës shqiptare. Asnjë aspekt i këtij procesi nuk ka qenë fiktiv dhe vendimet pozitive, siç ishte ai i djeshmi i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, sanksionojnë në fakt jo vetëm vullnetin e mirë të Brukselit zyrtar, por sanksionojnë në të njëjtën kohë edhe performancën e plotë dhe të kënaqshme të Shqipërisë në luftë kundër krimit dhe si një partner i devotshëm i Bashkimit Europian”, u shpreh ministri i Brendshëm Basha.
Duke shprehur besimin konkret për një vendimmarrje të shpejtë nga ana e institucioneve të Bashkimit Evropian, për heqjen e vizave me Shqipërinë, ministri Basha garantoi se vlerësimi do jetë plotësisht pozitiv, pasi vendi ka shënuar progres të prekshëm drejt plotësimit të kushteve.
“Shqipëria ka treguar në çdo etapë të procesit jo vetëm vullnetin, por edhe kapacitetin për të plotësuar këto kritere. Unë besoj se kemi të bëjmë me një vlerësim pozitiv dhe shpresoj se kjo, ashtu siç ka premtuar kryeministri Berisha, ashtu siç ka premtuar maxhoranca aktuale gjatë mandatit të parë, do të sjellë një vendimmarrje pozitive brenda javëve në vijim”, deklaroi Basha.
Këto komente ministri i Brendshëm i bëri gjatë një takimi të oficerëve ndërlidhës policorë të vendeve të BE të akredituar në vendet e Ballkanit perëndimor që zhvillohet në Tiranë, në kuadër të presidencës belge të BE.
Duke nënvizuar se Shqipëria shpreson që pikërisht nën presidencën belge të BE të marrë formën e plotë vendimi për heqjen e vizave, Basha e cilësoi përzgjedhjen e Tiranës për këtë takim edhe si tregues të bashkëpunimit të shkëlqyer të Shqipërisë me vendet e BE në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit transkufitar.
Ndërkohë duke sjellë në vëmendje edhe ndihmën e Bashkimit Europian për realizimin e projekteve për menaxhimin e integruar të kufirit si dhe për analizën e informacionit kriminal, e po kështu vlerësimet e oficerëve ndërlidhës të policive partnere europiane, ministri Basha vuri në dukje se që nga bërja efektive e këtyre sistemeve ka pasur një rritje të madhe të operacioneve të përbashkëta të suksesshme për identifikimin, interceptimin dhe goditjen e personave në kërkim nga vendet partnere në Shqipëri apo nga Shqipëria në vendet partnere.
Ministri i Brendshëm shprehu edhe njëherë vullnetin e qeverisë shqiptare që të konsolidohet edhe më tej bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me policitë e të gjitha vendeve partnere në kuadër të përpjekjeve dhe luftës së përbashkëta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe krimit transkufitar.