“Projektet në instrastrukturë do ta shndërrojnë Kavajën në djep të metropolit të Tiranës”
Shefi i ekzekutivit inauguron spitalin e ri të Kavajës, investim 1 miliard lekë i buxhetit të shtetit
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje përfundimin e punimeve të spitalit të ri të Kavajës. I ftuar nga ekipi mjekësor i këtij spitali, kreu i qeverisë Berisha shprehu kënaqësinë të inauguronte jo vetëm godinën e re, të standardeve bashkëkohore, por edhe kompletimin e tij me pajisjet e teknologjinë më moderne, një investim mbi 1 miliard lekë. Sipas Berishës, spitali është me teknologjinë më të mirë, me planimetrinë më të bukur se çdo spital tjetër dhe kjo është një vepër tërësisht e merituar për qytetarët e Kavajës.
Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se spitali i ri i përgjigjet plotësisht fytyrës së re që Kavaja ka marrë këto vitet e fundit, si një nga epiqendrat kryesore turistike të vendit.
Gjithashtu, kreu i qeverisë garantoi qytetarët e Kavajës se shumë shpejt do fillojnë punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, i cili do jetë një nga projektet më madhështore që investohet në zonën bregdetare. Kryeministri s’la pa përmendur as ndërtimin e rrugëve që të çojnë drejt detit, ndërsa vuri në dukje se shumë shpejt Kavaja do shndërrohet në djep të metropolit.
Në ndërtimin e spitalit të Kavajës dhe për aparaturat e tij janë investuar nga Banka Islamike e Zhvillimit, Fondi i OPEC-ut dhe qeveria shqiptare mbi 1 miliard lekë (reja).
Spitali i ri është një vepër tjetër madhore që inaugurohet nga kryeministri Berisha në një hark kohor të shkurtër.