Rrëmujë në Kopenhagë

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe udhëheqësit tjerë botërorë morën sot përsipër kryesimin në Konferencën e OKB-së për ndryshime klimatike në Kopenhagë, duke mbajtur një takim emergjent, me qëllim që të dalin me një marrëveshje politike për të shpëtuar Konferencën, të karakterizuar nga përçarjet e thella mes shteteve të pasura dhe të varfra.
Por as Obama, e as kryeministri i Kinës, Wen Jiabao, nuk ofruan premtime të reja për reduktimin e emetimit të gazrave në hapësirë, gjatë adresimit pjesëmarrësve të Konferencës në Kopenhagë.
Me negociatat që u zhytën në rrëmujë gjatë ditës së sotme, shumë delegatë kanë hedhur shikimin kah Kina dhe SHBA-ja-dy ndotësit më të mëdhenj të ambientit në botë-që të thellojnë premtimet e tyre për reduktimin e emetimit të gazrave, me qëllim të shpëtimit të marrëveshjes në Kopenhagë.
“Ne jemi të gatshëm që gjërat të qartësohen sot, por duhet të ketë lëvizje nga të gjitha palët, për të kuptuar se për ne është më mirë që të veprojmë, se sa të flasim”, tha Obama, duke insistuar në shtigje transparente për të monitoruar premtimet e secilit shtet për reduktimin e emetimit të gazrave.
Wen tha para delegatëve se për shënjestrën vullnetare të Kinës, për të reduktuar prej 40 deri në 45 për qind të sasisë së gazrave të emetuar, do të nevojitën përpjekje të jashtëzakonshme.
“Ne do të përmbushim premtimet tona me aksion të vërtetë”, tha Wen.
Megjithatë, pas takimit të nivelit të lartë, i cili u zhvillua sot në Kopenhagë, presidenti i Francës,k Nicolas Sarkozy, theksoi se përparimi në negociata po bllokohet nga Kina.
Në projekt-marrëveshjen për ndryshime klimatike, e cila u sigurua nga disa medie, është bërë thirrje që shtetet e pasura të mobilizojnë mbi 30 miliardë dollarë gjatë tri viteve në vijim, për të ndihmuar shtetet e varfra që të përballen me efektet e ngrohjes globale.
Mungesa e përparimit detyroi Obamën që në fjalimin e tij të përgatitur të zëvendësojë fjalën “marrëveshje”, me fjalën “kornizë të cilën sa po e shpalosa”.
Zëdhënësi i Obamës, Robert Gibbs, njoftoi se presidenti amerikan është takuar dje me udhëheqësit e Australisë, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, si dhe me presidentët e shteteve në zhvillim, siç janë Etiopia, Bangladeshi dhe Kolumbia.
Obama theksoi se udhëheqësit botëror duhet të pranojnë marrëveshjen, pa marrë parasysh se sa e pa-përkryer është ajo, apo që në të kundërtën të përballën me rrezikun e krijimit të përçarjeve të mëdha, në kuadër të përpjekjeve për të luftuar ngrohjen globale.
“Nuk është kjo marrëveshje e përkryer dhe asnjë shtet nuk do të sigurojë atë që e dëshiron. Dilema është se a do të lëvizim së bashku përpara, apo do të përçahemi”, tha Obama.
Frika nga dështimi është shtuar dukshëm në Kopenhagë, pas grindjeve të ashpra mes Kinës dhe SHBA-së, me shtetet tjera që kanë mbetur në margjina të procesit.
“Ka tendosje të mëdha. Por përkundër kësaj, gjërat po lëvizin paksa”, tha Sarkozy.
Nikoqiri i Konferencës, kryeministri i Danimarkës, Lars Loekke Rasmussen, kërkoi nga udhëheqësit botëror që të tejkalojnë dallimet mes tyre.
“Gjendemi para këtij momenti të rrallë dhe definues të historisë. Ne duhet të përcaktojmë kursin e ardhmërisë së planetit. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë rast të madh. Është koha për të vepruar”, tha Rasmussen.
Një delegat nga një shtet në Afrikë u ankua për deklaratën e propozuar përfundimtare të Konferencës.
“Ajo është tejet e dobët. Në këtë tekst nuk ka asgjë ambicioze”, tha Lumumba Di Aping nga Sudani, udhëheqës i bllokut të shteteve në zhvillim.
Edhe diplomatët, të cilët ishin të angazhuar në negociatat për dokumentin përfundimtar të Konferencës, nuk ishin aspak optimist.
“Është kjo një deklaratë politike, e cila nuk është ndonjë gjë e madhe”, deklaroi delegati kinez, Li Junhua.
“Do të ishte ky një dëshpërim i madh. Deklarata politike nuk do të garantonte mbijetimin tonë”, tha Selvin Hart, delegat nga Barbadosi, i cili foli në emër të Aleancës së shteteve të vogla ishuj, të cilat janë të rrezikuara nga ngritja e nivelit të deteve, për shkak të ngrohjes globale.