Probleme me faks, dështon transferimi

Njësoj si Fernando Torres, i cili kompletoi transferimin në Chelsea nga rivali i Premierligës, Liverpool, në ‘pesë minuta në 12’, të njëjtën është dashur ta bëjë edhe Eric Maxim Choupo-Moting.
Sulmuesi kamerunas i skuadrës gjermane Hamburg, Maxim Choupo-Moting – i cili nga shumëkush konsiderohet si pasardhës i yllit Samuel Eto’o në Kombëtaren e Kamerunit - ishte pritur që të hënën, në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, të transferohet te rivali nga Bundesliga, Koln.
Palët kishin arritur marrëveshje. Chiupo Moting, 21 vjeç, kishte zgjedhur Kolnin para skuadrës angleze West Bromwich Albion, gjysmë orë para mbylljes së afatit kalimtar dimëror.
Çdo gjë dukej gati, vetëm kërkohej nënshkrimi i dokumentacionit dhe dërgimi i tij në Federatën e Futbollit të Gjermanisë (DFB). Për këtë ishin përkujdesur babai dhe menaxheri i futbollistit.
Por, për fatin e keq të tyre kishte problem me faks dhe letra e marrëveshjes kishte mbërritur në Federatën e Futbollit të Gjermanisë (DFB) në orën 18 e 12minuta. Duke pasur parasysh kohën e skaduar, marrëveshja nuk u zyrtarizua pasi afati kalimtar i janarit në Bundesligë mbyllej në orën 18.
“Fati na la në Hamburg. Në Koln mbetën të shokuar nga dështimi i transferimit, por nuk përfitojmë asgjë nga ankesa”, tha babai i futbollistit për mediet gjermane.
Maxim Choupo-Moting bëri paraqitjen e tij të parë në Bundesligë më 11 gusht 2007, duke u inkuadruar në lojë si rezervist në minutën e 69-të të ndeshjes kundër Hannover 96.
Sezonin e kaluar ishte i huazuar në Nuremberg, ku bëri 25 paraqitje dhe shënoi pesë gola. Por, gjatë këtij edicioni u kthye në Hamburg, ku nuk ka gjetur vend në formacionin bazë për shkak të konkurrencës së fortë në repartin ofensiv, që përbëhet nga dyshja Rud van Nistelrooy dhe Mladen Petric.
Sipas medieve gjermane, Choupo-Moting mund të dërgohet në ekipin amator të Hamburgut deri në fund të këtij sezoni.