E Shtunë, 31 Tetor 2026

Probleme në sistemin e drejtësisë, Dell: Dëmton zhvillimin ekonomik

Sistemi i dobët i drejtësisë dëmton zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kështu u shpreh Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell, në konferencën me temë “Përmbarimi i aktgjykimeve në Kosovë: Thirrje për reformë sistemore”, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të ndërmarrin masa urgjente për zgjidhjen e rreth 100 mijë aktgjykimeve civile.

“Janë rreth 100 mijë aktgjykime civile të pazgjidhura të cilat presin nëpër gjykatat me vite të tëra. Kjo gjendje e krijuar e dëmton Kosovën në shumë mënyra. Një sistem i dobët gjyqësor, i dekurajon investitorët, dobëson zhvillimin ekonomik dhe zvogëlon mundësitë e qytetarëve të Kosovës që të përqëndrojnë kapitalin e tyre në këtë vend, të investojnë në të ardhmen e tyre si dhe që të gjejnë vende pune” tha Dell.

“Duke e parë si shumë problematike fushën e përmbarimit të vendimeve gjyqësore në Kosovë e sidomos në lëmin civil, si dhe duke dashur që të shtoj efikasitetin në këtë fushë, Ministria e Drejtësisë i ka dhënë vetës detyrë reformimin e sistemit të përmbarimit të vend. Kështu në strategjinë legjislative të vitit 2010 ndër të tjera Ministria e Drejtësisë ka paraparë edhe hartimin e Ligjit të ri për procedurën e përmbarimit në Kosovë” tha Haki Demolli, Ministër i Drejtësisë së Kosovës.

Sistemi i drejtësisë në Kosovës është kritikuar vazhdimisht nga të gjitha organizatat ndërkombëtare për mungesë efikasiteti dhe për ndikim të madh të politikës. Të metat e këtij sistemi janë theksuar posaçërisht në Raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, të cilat pritet të përmenden edhe në raportin e këtij viti.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›