E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet serbe në veri të Kosovës, Kuçi: Janë të paligjshme

Zgjedhjet që Serbia do të mbajë këtë të dielë në veri të Mitrovicës janë të paligjshme dhe Qeveria e Kosovës nuk do të bashkëpunojë me strukturat paralele që do të dalin si rezultat e këtyre zgjedhjeve. Kështu u shpreh zv/ kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të bojkotojnë votimet e ditës së diel.

“Këto zgjedhje nuk kanë fuqi juridike, nuk kanë legjitimitet demokratik dhe nuk do të jenë partner as të vendorëve e as të ndërkombëtarëve në këtë drejtim” tha Kuçi.

Ndërkohë edhe EULEX-i i ka cilësuar të paligjshme zgjedhjet lokale serbe, ku gjatë dy javëve të fundit partitë kryesore politike nga Serbia kanë zhvilluar fushatën e tyre parazgjedhore me tone nacionaliste dhe me premtimin se do të bëjnë spastimin e kësaj pjese nga shqiptarët, duke blerë pasurinë dhe pronat e tyre.

“Synimet e Serbisë kanë qenë dhe mbetën deri në shkallë të spastrimit etnik, deri në shkallë të zhbërjes së shtetit të Kosovës por këto politika nuk do të jenë të suksesshme as tash e as në të ardhmen” tha Kuçi.

Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e EULEX-it për të mos lejuar hyrjen pa leje në territorin e Kosovës të zyrtarëve të lartë serbë.

“Ka qenë një sfidë ditëve të fundit, një sfidë e cila na ka bërë më të përgatitur, më të mirë, tani kemi garanci nga EULEX-i se hyrjet e tilla do të ndalohen nëse nuk e kanë marrë paraprakisht pëlqimin e institucioneve të Kosovës” tha Kuçi.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i sekretarit shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovës, Oliver Ivanoviç, i cili ka thënë se EULEX-i nuk ka mandat të ndalojë vizitat e paparalajmëruara të zyrtarëve serbë në Kosovë.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›