E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca me gjyqtarët, Rusmali premton për nesër

Kuvendi Pas disa shtyrjesh, kreu i Komisionit të Ligjeve cakton të mërkurën

Komisioni i Ligjeve do të thërrasë në seancë dëgjimore ditën e mërkurë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Grupi i Partisë Demokratike ka marrë vendimin për të mbështetur vetëm kandidaturën e Medi Bicit. Ndërsa për dy kandidaturat e tjera që Presidenti Topi i ka lënë në dorë të Kuvendit, mazhoranca pritet të lëshojë sinjale negative lidhur me miratimin e tyre. Burime pranë grupit parlamentar të PD-së paralajmërojnë se kandidaturat për Sokol çomon dhe Vexhi Muçmatajn janë të rrezikuara për shkak se grupi i demokratëve nuk ka ende një sinjal për ngritjen e kartonit jeshil për to. Axhenda e ngjeshur e Komisionit të Ligjeve ka rishtyrë për të disatën herë shqyrtimin e dekreteve të Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Dosja e plotë e kandidatëve për Gjykatën e Lartë ka mbërritur në Komisionin e Ligjeve dhe anëtarët e këtij komisioni kanë një afat të shkurtër për ta shqyrtuar atë. Mësohet gjithashtu se ende nuk është vendosur në dispozicion të të gjithë përfaqësuesve të Komisionit të Ligjeve dosja e plotë e përgjigjeve që janë marrë nga institucione si ILDKP-ja, Ministria e Drejtësisë dhe organet e tjera kompetente të pyetura mbi kurrikulumin e dekreteve të shpallura nga Presidenti Topi në fillim të muajit qershor. Me ndryshimet e reja të rregullores së Kuvendit, dekretet e Presidentit jo vetëm që do të miratohen në mënyrë të hapur, por Komisioni i Ligjeve nuk do të ketë më një afat trejavor për shqyrtimin e tyre, por një afat tetëjavor.
Mazhoranca deri tani ka shprehur vlerësime dhe mbështetje për kandidaturën e Medi Bicit, ndërsa për dy të tjerat është shprehur me rezerva. Kështu, duke iu referuar amendimeve të miratuara të rregullores së Kuvendit, drejtuesit e komisionit kanë vendosur që të zhvillojnë jo një, por minimumi tre seanca dëgjimore, çdo ditë një seancë për çdonjërin prej tre të dekretuarve. Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj janë tre gjyqtarët që do t’i nënshtrohen seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. Seanca e parë pritet të jetë për Medi Bicin, më pas për Sokol çomon dhe Vexhi Muçmatajn. Por para zhvillimit të këtyre seancave, Komisioni i Ligjeve ka pasuruar axhendën e vet me informacione shtesë nga prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, ILDKP, Drejtoria e Përgjithshme Taksave dhe Tatimeve dhe nga Dhoma e Avokatisë. Kuvendi ka shkelur afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit për shtrimin e tri dekreteve të Presidentit Bamir Topi për në Gjykatën e Lartë. Por me ndryshimin e rregullores, Komisioni i Ligjeve ka në dispozicion 8 javë kohë për shqyrtimin e tri kandidaturave. Komisioni ka hartuar një kalendar për shqyrtimin e tyre, ku çdo kandidat do të zhvillojë minimalisht një seancë dëgjimore me deputetët e komisionit, ku do të pyetet gjerësisht nga ata për karrierën profesionale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›