E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdhunohet e mitura, familja fsheh krimin

Policia u njoftua nga spitali i Lushnjës. Arrestohet autori i krimit monstruoz

Një vajzë 9 vjeçe nga fshati Ardenicë i Lushnjës është përdhunuar të dielën nga një 42-vjeçar, ndërkohë që policia mendon se në aktin e rëndë është përfshirë edhe një i rritur tjetër, identiteti i të cilit nuk është përcaktuar ende.

Familjarët e vajzës së vogël kanë menduar fillimisht të mos i drejtohen policisë, por për shkak të gjendjes shëndetësore të së miturës janë detyruar ta çojnë në spitalin civil të Lushnjës, nga ku u njoftua edhe policia. E mitura jetonte me gjyshërit, ndërsa prindërit i kishte në emigracion.

Përdhunimi

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 17:30 të ditës së diel, pasi sipas gjyshërve 9-vjeçarja M.Sholla ka ardhur rreth orës 18:00 në gjendje jo të mirë fizike dhe e traumatizuar psikologjikisht. Vogëlushja kishte dalë nga shtëpia e gjyshërve për të blerë bukë. Më pas ajo është parë duke ngjitur rrugën e Ardenicës së bashku me një person tjetër, i cili sipas banorëve të zonës ishte i panjohur për ta. “Nga banorët thuhet se burri që shoqëronte të miturën ka qenë rreth të 40-ave dhe mund të ishte një endacak”, kanë pohuar dje paradite burime të Komisariatit të Policisë së Lushnjës. Po këto burime sqaruan se nga dëshmitë e familjarëve u mësua se vajza kishte thënë se i panjohuri, pasi i kishte kërkuar ta drejtonte për në Ardenicë e kishte mashtruar duke i dhënë edhe 400 lekë të reja. Më pas ai kishte nisur ta prekte dhe më pas e kishte përdhunuar. Momentet e fundit të këtij akti shtazarak i ka parë edhe një grua, e cila ndodhej në arat e saj në Ardenicë. Ajo ka shkuar menjëherë për të ndihmuar vajzën, të cilën e ka gjetur të përgjakur dhe në gjendje shoku, ndërsa përdhunuesi ishte larguar.

Fshehja

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, gruaja që pa ngjarjen e ka marrë vajzën dhe e ka çuar në shtëpi, duke u treguar ato që kishte parë gjyshërve të saj. Këta të fundit pasi e kanë pastruar dhe qetësuar vajzën kanë menduar fillimisht të mos e bënin publike këtë ngjarje, por përkeqësimi i shëndetit të fëmijës gjatë natës i ka detyruar ata që ta çojnë në spitalin civil të Lushnjës. Hemorragjia dhe tensioni i lartë i kanë detyruar mjekët e Lushnjës ta dërgojnë fëmijën me urgjencë drejt Tiranës.

Policia është njoftuar për këtë ngjarje vetëm nga spitali i Lushnjës shumë kohë pasi kishte ndodhur përdhunimi. Pas sinjalizimit është ngritur një grup hetimor dhe janë marrë të gjitha dëshmitë e personave që kanë parë ditën e diel personin që shoqëronte për disa minuta në rrugët e fshatit vogëlushen. Policia është bazuar më tepër në dëshmitë e vetë viktimës, e cila sipas burimeve të gazetës mësohet se ka bërë përshkrimin e autorit.

Arrestimi

Në orët e pasdites së djeshme, policia arriti të identifikonte personin e dyshuar si përdhunues dhe e arrestoi atë. Burimet policore bënë të ditur se u arrestua Flamur Krasniqi, 42 vjeç, i pamartuar, nga fshati Babunj i Lushnjës. Ai është ndaluar pranë zonës ku ka ndodhur ngjarja dhe njihet si person problematik. Burimet policore thanë se gruaja që ishte dëshmitare okulare ka pohuar se burri që ajo kishte parë nga larg ngjante me Krasniqin. Ndërkohë, dyshohet se 42-vjeçari ka pasur edhe një bashkëpunëtor dhe policia po heton në këtë drejtim.

Ky është rasti i dytë i përdhunimit të të miturave në Komunën e Kolonjës gjatë viteve të fundit. Në muajin gusht të vitit 2008, një 13-vjeçare nga fshati Bidaj, 3 km larg qendrës së komunës, u përdhunua nga një bashkëfshatar i saj 74 vjeç, me të cilin mbeti edhe shtatzënë. Pikërisht shtatzënia e të miturës zbuloi abuzimin seksual që çoi në pranga plakun.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›