E Diel, 1 Nëntor 2026

Procedurat tatimore, biznesi kundër draftit të qeverisë

Autori i Lajmit: Red.Lakohet neni për vetëdeklarimet
Biznesi ka kundërshtuar fuqishëm disa pika të ligjit të ri për procedurat tatimore, sidomos nenin që i jep të drejtën tatimeve të hedhin poshtë vetëdeklarimin e sipërmarrjeve për detyrimet tatimore. "Është shumë e qartë se ky nen cënon parimin bazë të vetëvlerësimit dhe vetëdeklarimit tatimor", u shpreh drejtuesi i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj. Deklarata u bë gjatë një tryeze, ku ishin të pranishëm ministry i Financave, Ridvan Bode dhe përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, në kuadër të konsultimeve që ato kanë ndërmarrë lidhur me porjektligjin e ri të Proçedurave Tatimore. Por, ministri i Financave Ridvan Bode ka mbrojtur ligjin, duke argumentuar se vetëdeklarimi cënohet vetëm atëherë, kur administrata tatimore dyshon se deklarimet e biznesin janë të pavërteta. "Ne duhet të kemi një instrument kontrolli ndaj vetëdeklarimeve", u shpreh ministry Bode. Ndërkohë që Uldedaj shton se projektligji i jep fuqi admnistratës për të bërë kontrolle tendencioze dhe ky fakt do të krijojë premisa për kontrolle të papërgjegjshme. Por, ministri Bode premton se çdo veprim do të kryhet në bazë të verifikimeve të çmimeve në treg dhe në bazë të tyre do të bëhet vetëvlerësimi. Ligji i ri për procedurat tatimore është në fazën e diskutimit me grupet e interesit. Pasi palët e interesuara të shprehin vërejtjet e tyre ligji do të kalojë për votim në kuvend për të hyrë në fuqi në 1 janar të vitit 2008. Ministri i Financave, Ridvan Bode, duke folur për domosdoshmërinë e zbatimit të këtij projektligji, u shpreh se, ky draft ka disa përmirësime, sidomos në përcaktimin e qartë të të drejtave dhe detyrimeve të organeve tatimore, duke përcaktuar qartë statusin, si dhe raportet mes tyre dhe biznesit. Nëpërmjet këtij projektligji synohet eliminimi i informalitetit, garantohet konkurrenca e drejtë mes bizneseve në tregun e brendshëm.

Ky lajm është publikuar: 28/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›