Proces i mjegullt i bisedimeve

Dialogu politik që po zhvillohet në mes autoriteteve të Prishtinës dhe atyre të Beogradit në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton, edhe pas raundit të katërt vazhdon të jetë i “bunkerizuar” , nga i cili jepen shumë pak detaje me deklarata kundërthënëse nga të dy kryeministrat që po udhëheqin këto negociata.
Por, jo vetëm kaq, nga fillimi i procesi të dialogut normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, marrëveshjet e arritura në Bruksel po interpretohen në forma të ndryshme vetëm sa për konsum të brendshëm ditor si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, shkruan gazeta Zëri.
E njëjta gjë ndodhi edhe pas përballjes së fundit të dy kryeministrave, të cilët përveç se janë parë duke qeshur në fotografitë e përbashkëta të publikuara pas takimit, është thënë se Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq janë marrë vesh për mbledhjen e pagesës së doganave dhe TVSH-së në të gjitha pikëkalimet kufitare. Në takimin e fundit maratonik që ka zgjatur pesë orësh në Bruksel është folur edhe për strukturat paralele serbe në veri dhe sipas kryeministrit kosovar është arritur pajtimi për zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri, derisa homologu i tij serb, ka mohuar një gjë të tillë. E krejt në këtë proces të mjegullt, për të cilin thuhet se s’ka transparentë për opinionin, Brukseli zyrtar vazhdon të lëshojë deklarata të shkurta me shumë pak detaje për marrëveshjet.
Spektri politik opozitar në Kosovë kërkon nga kryeministri Thaçi, i cili po udhëheq këto bisedime që të ofrojë më shumë detaje dhe të jetë transparentë rreth gjithë procesit që po zhvillon në Bruksel. Ish –zëvendëskryeministri Lufti Haziri, i cili dikur ka udhëhequr bisedimet e Vjenës, ka thënë se përveç se po manipulohet opinioni në Serbi, e njëjta gjë po ndodhë edhe në Kosovë, e krejt kjo vetëm sa konsum të brendshëm ditor. “Nga ajo që jam i njoftuar, them se çështja e zhbërjes së strukturave paralele serbe në veri ka qenë pjesë e agjendës së takimit të fundit të dy kryeministrave, pavarësisht se si interpretohet nga kryeministri serb për konsum të brendshëm.
Por ajo çka dua të them, është se edhe në Kosovë po manipulohet opinioni, i cili duhet të njoftohet saktë dhe qartë se çka po ndodhë në këtë proces. Pra, në takimin e fundit a janë legalizuar apo është arritur pajtimi për shuarjen e strukturave paralele serbe në veri? Them se rezultatet që dalin nga këto bisedime janë larg asaj që quhet transparencë dhe konsideroj se ma mirë është të njoftohet opinioni herët sepse dikur mund të bëhet vonë”, ka qenë porosia e deputetit të LDK-së. Haziri, megjithatë beson se shefi i qeverisë kosovare Thaçi, gjatë kësaj jave do ta njoftojë Kuvendin e Kosovës dhe ofrojë detaje rreth takimit të fundit maratonik që ka pasur në Bruksel me homologun e tij serb.
Nga ana e tij, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka deklaruar se, kryeministri i Kosovës, duke dialoguar pa kushte me Serbinë, ka ngjallur iluzione se Serbia do të ndryshojë përmes bisedimeve. Sipas tij, duke dialoguar për çështje të brendshme të Kosovës, Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi e ka inkurajuar dhe ka trimëruar Serbinë e Daçiqit. “Ky dialog pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës, do ta rrezikojë dhe do ta dëmtojë Kosovën.
Rruga e negociatave dhe e pazareve me Serbinë, është rrugë e Serbisë, e cila rezultoi edhe me fondin zhvillimor për veriun e Kosovës, ku të ardhurat që mblidhen në kufi do t’i dedikohen veriut të Kosovës”, ka thënë Kurti.
E njohësi i zhvillimeve politik, analisti Halil Matoshi ka një shpjegim për gjithë procesin e mjegullt të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve. “Kjo është agjendë e Brukselit dhe të dyja palët edhe Prishtina dhe Beogradi do të detyrohen që t’i binden asaj agjende, ndërkohë që për opinionin e brendshëm jepen deklarime për qefin e së cilit, ku secila palë synon të dal e fituar. Mendoj se asnjëra palë s’do të marr optimalen, por që palët do të detyrohen të lëshojnë pe. Prishtina zyrtare do të detyrohet ta zbatojë planin e Ahtisarit, kurse Beogradi do të jetë ai që do të lëshojë pe, gjithnjë në kontestin e asaj që do t’i shpërbëjë strukturat ilegale serbe, të cilat do t’i legjitimojë përmes një procesi zgjedhor në bazë të Kushtetutës së Kosovë”, ka thënë analisti Matoshi.
Takimi i 17 janarit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, ishte konfirmim i pranimit të realitetit të krijuar në rajon nga ana e Serbisë, ishte ky vlerësimi i zëvendëskryeministres Edita Tahiri. /Indeksonline/