E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i harruar

Ardhmëria e Jerusalemit dhe e Bregut Perëndimor mbetet çështje e përpjekjeve intensive diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, përfshirë këtu edhe SHBA-në. Në këtë moment, as që mund të pritet ndonjë iniciativë për rifillimin e negociatave nga SHBA-ja, deri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në nëntor.

Vera e vitit 2012. Zgjedhjet në Izrael janë shtyrë deri në vitin e ardhshëm, pas formimit të qeverisë së re të koalicionit. “Pranvera Arabe” po prodhon fitoret e Vëllazërisë Myslimane, forcimin e salafistëve, kaos në Siri, çrregullime në Egjipt, dridhje në Jordani.

Programi bërthamor i Iranit po përparon në vazhdimësi, përkundër sanksioneve më të ashpra dhe negociatave mes Teheranit dhe fuqive botërore. Në SHBA, Barack Obama dhe Mitt Romney filluan përballjen për zgjedhjet në nëntor.

Në kuadër të gjitha këtyre zhvillimeve, i ashtuquajturi “proces paqësor” më 10 qershor hyri në vitin e tij të 46-të. Ishte kjo dita kur në vitin 1967 u shpall armëpushimi pas luftës gjashtëditore, gjatë së cilës Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Gazën, Sinain,

Rrafshnaltën e Golanit dhe Jerusalemin.

Izraeli u tërhoq nga Sinai në vitin 1982, ndërsa nga Gaza në vitin 2007, ndërsa aktualisht askush nuk është duke folur për Golanin, për shkak të krizës së brendshme në Siri. Por ardhmëria e Jerusalemit dhe e Bregut Perëndimor mbetet çështje e përpjekjeve intensive diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe SHBA-në.

Përderisa negociatorët profesionistë dëshirojnë rifillimin e negociatave, e vërteta është se asnjëra nga palët në konflikt nuk është e interesuar që aktualisht të merr përsipër rrezikun politik.

Në këtë moment, as që mund të pritet ndonjë iniciativë për rifillimin e negociatave nga SHBA-ja, deri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në nëntor.

Nëse fiton kandidati republikan, Mitt Romney, atëherë atij dhe ekipit të tij do ti nevojitet kohë për tu adoptuar. Nëse ri-zgjidhet Barack Obama, ai nuk do të ketë në dispozicion ndonjë njëri në Lindjen e Mesme, në të cilin do të mund të mbështetej. Këshilltari për Lindjen e Mesme, Dennis Ross, është larguar, e me gjasë edhe zëvendëssekretari i shtetit, Bill Burns, do të largohet, pas emërimit të sekretarit të ri të shtetit.

Në janar të vitit 2009, Obama dy ditë pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë emëroi të dërguarin e tij në Lindjen e Mesme. Ky lloj prioriteti nuk do t’i jepet rajonit në janar të vitit 2013, pa marrë parasysh se kush do të fitojë në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Koalicioni i ri në Izrael ka ca hapësirë për të manovruar, por as që mund të pritet që diplomacinë me palestinezët ta shndërrojë në prioritet. Izraeli së pari dëshiron të marrë vendime për Iranin dhe të shohë se kush do të jetë president i SHBA-së gjatë katër viteve të ardhshme. Dhe një Izrael, i cili është i brengosur për stabilitetin në Siri, Egjipt, Jordani dhe Liban dhe i cili po përballet me programin bërthamor të Iranit, nuk dëshiron të marrë përsipër shumë rreziqe në Bregun Perëndimor.

Megjithatë, qeveria izraelite nuk mund t’i lejojë vetës që të injorojë çështjen palestineze. Anketat dëshmojnë se izraelitët dëshirojnë paqe dhe dëshirojnë ndarjen nga palestinezët, por megjithatë ata nuk besojnë se mund të bëhet apo të arrihet shumë. Nëse ndalet programi bërthamor i Iranit dhe nëse nga pushteti përmbyset presidenti i Sirisë, Baschar Al Assad, atëherë vëmendja mund të përqendrohet sërish në Bregun Perëndimor.

Asgjë këtë vit, apo madje edhe vitin e ardhshëm, kur do të përballet me zgjedhje, nuk do ta detyrojë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun, që të ndërmerr hapa të njëanshëm. Herët apo vonë, ai do të zbulojë atë, që paraardhësi i tij, Ariel Sharon, e zbuloi në vitin 2003: natyra e urren vakuumin, e gjithashtu edhe Bashkimi Evropian dhe izraelitët. Vëmendja tani është përqendruar në Iran, Siri dhe Egjipt, por pas disa viteve, ajo mund të përqendrohet sërish në territoret e okupuara dhe mund të forcohen kërkesat që Izraeli ti jep fund okupimit të territoreve palestineze.

Trysnia ndaj Izraelit do të rritet. E vërteta është se situata e brendshme po detyron shtetet evropiane që të marrin qëndrim të ashpër ndaj Izraelit. Është ky zhvillimi i vetëm i ri, që nga fillimi i “procesit paqësor”. Myslimanët në Evropë tani përbëjnë një kontingjent të rëndësishëm të votuesve. Shembull për këtë janë zgjedhjet në Francë. Sipas një ankete, 93 për qind të votuesve myslimanë në Francë kanë votuar për presidentin e ri francez, Francois Hollande. Është ky një zhvillim mjaft i rrezikshëm për Izraelin, por është një zhvillim, të cilin Izraeli nuk mund ta kontrollojë.

Nëse i kombinoni të gjithë këta faktorë, bëhet e qartë se pse Netanyahu dhe presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, nuk dëshirojnë të marrin përsipër rrezikun për të ringjallur procesin paqësor. Çfarëdo ndryshimi thelbësor, do ta përkeqësonte situatën edhe ashtu të keqe, në të cilën ndodhet Abbasi. Gjatë parakalimit të gazetarëve dhe diplomatëve izraelit dhe arabë nëpër Washington, askush nuk po flet më për procesin paqësor mes Izraelit dhe palestinezëve. “Kemi biseduar gati një orë rreth situatës në Lindjen e Mesme dhe askush nuk e përmendi fjalën palestinezë. Është kjo një çështje për vitin tjetër, apo vitin pas tij”, deklaroi së fundi një diplomat në Washington.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›