E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne, të panjohur!



“Të qenurit sot një periferi e skenës së madhe, ku performanca e artit bashkëkohor kryhet, nuk është ndonjë fat i madh për ne”, - thotë artisti Idlir Koka në intervistën për “standard”, i cili nesër renditet mes 13 emrave të artistëve “ndërkombëtarë”, si një prej pretendentëve të çmimit të “Onufri”-t. Ai konkurron me punë në grafikë, pikturë dhe fotografi, ku me ndërmjetësinë e ironisë mban një qëndrim realist mbi ngjarjet apo fenomenet e ditëve të sotme, gjithnjë duke ndjekur linjën e “paradoksit” të ekspozimit

Ne, të panjohur!

Me një “angazhim” social, duke rrahur tek ekzistenca, artisti Idlir Koka dëshmon mosnjohjen nga sistemi, si një revoltë, në një nga punët pjesëmarrëse në konkurrimin e “Onufri”-t, me “Punëtori i panjohur”. “E gjitha kjo si për të na treguar një fakt të përditshëm, gati normal, siç është ai i mosnjohjes nga sistemi, ekzistencën gati formale dhe të padukshme tonën brenda këtij sistemi (rruga, uniforma)”. Konkursi i “Onufri”-t klasifikohet si një aktivitet paksa skeptik për vlerat që transmeton. Edhe pse politika e tij është e hapur për debatet me firmën e aktualitetit të artit bashkëkohor shqiptar, e mbetur në një fazë që ende lë për të dëshiruar, sipas artistit Idlir Koka, është “lideri” i identifikimit të artit të gjeneratës së re. “Të qenurit sot një periferi e skenës se madhe ku performanca e artit bashkëkohor kryhet nuk është ndonjë fat i madh për ne”, - shprehet Koka, në intervistën për “standard”, i cili nesër renditet mes 13 emrave të artistëve “ndërkombëtarë”, si një prej pretendentëve të çmimit të “Onufri”-t. Ai konkurron me punë në grafikë, pikturë dhe fotografi, ku me ndërmjetësinë e ironisë mban një qëndrim realist mbi ngjarjet apo fenomenet e ditëve të sotme, gjithnjë duke ndjekur linjën e “paradoksit” të ekspozimit. “Tregu” i artit bashkëkohor për artistin ka qenë dhe sërish mbetet një terren i palëvruar, i cili e orienton “penelatën” vetëm drejt dyerve të mbyllura. Ai shprehet pesimist lidhur me problematikën e monitorimit të tregut artistik, si dhe çështje të tjera koherente.

Jeni një nga artistët konkurrues të “Onufri”-t. Këtë vit ju ftoi drejtori i Galerisë, z. Shima, të merrni pjesë, si u ndodhët në këtë pjesëmarrje?

Në edicionin e këtij viti, “Onufri” ka një element të dallueshëm nga ata paraardhës për faktin e thjeshtë se ndërtim i këtij eventi të rëndësishëm të artit bashkëkohor në Shqipëri kësaj radhe i është besuar një kuratori të huaj dhe pikërisht z. Ricardo Caldura. Nuk mendoj se është kjo arsyeja që e bën më të mirë nga të tjerët, por jam i bindur se këtë vit jemi rritur në cilësinë e konceptimit dhe realizimit të tij. Kam qenë pjesë e një grupi artistësh të cilët janë ftuar nga GKA, për të bashkëpunuar me kuratorin e aktivitetit. Formula e aplikuar ishte ajo mbi bazën e intervistave me secilin artist kandidat, që solli edhe përzgjedhjen finale të artistëve pjesëmarrës.

Personalisht mendoj se modeli i ndjekur për “Onufri 2008” është i praktikuar në aktivitete nga më prestigjiozet në Evropë e më gjerë. Është një mënyrë mjaft efektive për faktin se nëpërmjet intervistës, kuratori arrin të perceptojë më qartë tendencat e një autori, qëndrimet artistike, diferencat nga një portfol (prezantimi i artistit) tek tjetri, kërkimet konceptuale e formale ndryshimet nga puna në punë etj. Terrenit artistik shqiptar i bën mirë ky lloj modeli për problemet që duhet t’i hapë vetes ose së paku në realizimin me koshiencë të produktit artistik.

A mund të na thoni çfarë e bën dinjitoze këtë ekspozitë dhe kush ia bjerr vlerën sipas jush?

Në radhë të parë mendoj se nuk duhet parë rëndësia e këtij aktiviteti tek fakti nëse është dinjitoz apo jo. Një event mund të jetë shumë i mirë dhe njëkohësisht aspak dinjitoz.

Në konceptin tim, “Onufri 2008” hyn tek ato aktivitete të cilat përpiqen të jenë të hapura ndaj debatit dhe jo të sigurta në vlerat që mbartin. Atë çka shoh si element pozitiv këtë vit është interesi për ta treguar skenën e artit bashkëkohor shqiptar me të vërtetat e veta. Ne të gjithë kemi nevojë të kuptojmë në ç’fazë jemi. Mendoj se kjo është mënyrë e mirë për të identifikuar një brez të ri artistësh. Por gjithsesi mund t’ju them se “Onufri” apo aktivitete të tjera si këto nuk mund të prodhojnë më shumë se kaq. Të qenurit sot një periferi e skenës se madhe ku performanca e artit bashkëkohor kryhet nuk është ndonjë fat i madh për ne.

Është ekspozitë ndërkombëtare, por marrin pjesë 13 artistë shqiptarë. Ka domethënie për ju, edhe pse është argumentuar se kuratori është i huaj?

Kam mendimin se statusi është një gjë dhe koncepti kuratorial është një gjë tjetër. Kam përshtypjen se ky është një debat të cilin nuk duhet ta udhëheqë ideja se këtu ka shkelje. “Onufri” i shumë edicioneve ka qenë i projektuar kah një koncept kuratorial, i cili për t’u zhvilluar ka pasur nevojën e artistëve ndërkombëtarë. Për shumicën e medias apo edhe të admiruesve të artit bashkëkohor, është krijuar përshtypja se edicioni i këtij viti nuk ka pasur temë. Unë mendoj se tema që aplikoi kuratori pasi u njoh me produktin artistik ka qenë vetë investigimi mbi artin shqiptar, skena e re e artit bashkëkohor, aktorët, qëndrimet e problematikat etj. Në fund të fundit, duhet të kuptojmë se nuk janë esencialisht të nevojshme aktivitetet “ndërkombëtare” të përbëra nga artistë të huaj, të rëndësishëm ose jo, sepse thjesht na e kërkon statusi. Kam përshtypjen se për sa kohë nuk do të kthehemi me fytyrë nga vetja, nevojat që kemi dhe për të kuptuar se në ç’fazë ndodhet arti bashkëkohorë shqiptar, atëherë do të vazhdojmë të ndërtojmë “Onufra” pa kurrfarë qëllimesh serioze. Në këtë pikëpamje është joprofesionale që debatit, i cili prodhon kritikë të mirëfilltë, t’i zërë vendin një debat aspak i shëndetshëm mbi ligjshmërinë e tij.

Po konkurroni me punë në grafikë, pikturë dhe fotografi, a mund të na flisni më konkretisht rreth tyre?

Procesi përzgjedhës i këtij viti ishte bazuar mbi intervistën me kuratorin. Pasi ai u njoh me punën time nëpërmjet një prezantimi të shkurtër të portfolit tim dhe në bazë të bisedës që patëm rreth disa prej punëve, u vendos që prezantimi im të ishte në tre mediume të ndryshme. Një triptik fotosh të shkëputura nga një seri, një pikturë dhe dy imazhe të gatshme, por të rivizatuara. Në gjykimin tim, të tria këto projekte i përkuan konceptit kuratorial me të cilin punoi zoti Caldura. Janë punë të cilat hyjnë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me paradokset dhe që përpiqen nëpërmjet ironisë të ndërtojnë një qëndrim realist mbi ngjarje apo fenomene.

Në një prej tablove ju paraqisni një punëtor pa fytyrë, i cili tregon gjendjen aktuale të punëtorëve shqiptarë e të huaj, cila është filozofia e saj?

Është shumë interesant fakti se si nis shpesh të ngjizet një projekt apo edhe një punë.

Në të shumtën e rasteve më ka interesuar të ndërtoj raporte të kundërtash brenda punës time, të luaj me një situatë të dhënë, të vendos së bashku elemente të cilat në qasjen tonë të përditshme e të zakonshme drejt gjërave është gati e pamundur t’i gjejmë. Jam i prirur të identifikoj një problem mbi të cilin të ndërtoj një qëndrim. Për t’u kthyer në veprën, të cilën e kam quajtur “The unknown worker” (Punëtori i panjohur). Bëhet fjalë për një imazh pa shumë histori, në të cilën mund të dallohet lehtësisht figura e një punëtori ose më mirë le të themi uniforma e një punëtori e vendosur në qendër të një rruge automobilistike. Jam përpjekur të krijoj një raport të kundërtash. Në mes të një rruge me koordinata të qarta, me fillim e mbarim është vendosur silueta e një punëtori, por pa u kujdesur që ai të identifikohet, për më shumë duke ia mohuar mundësinë e njohjes, përveçse prej veshjes së tij. E gjitha kjo si për të dëshmuar një fakt të përditshëm, gati normal, siç është ai i mosnjohjes nga sistemi, ekzistencën gati formale dhe të padukshme tonën brenda këtij sistemi (rruga, uniforma).

Në një tjetër punë të prezantuar, ju keni skicuar vijat e disa strukturave ndërtimore, të cilat i mbivendosni mbi peizazhe. Çfarë keni dashur të thoni nëpërmjet saj?

Në këto punë që janë pjesë e një serie më të gjatë jam përpjekur të ndërtoj një aspekt që ka të bëjë me frymën e kohës. Janë dy imazhe posterash-panoramike, të cilat shiten në tregjet e Tiranës. Mbi to kam vizatuar forma fillestare ndërtesash. Më ka interesuar në këtë seri të identifikoj dy momente kryesore të asaj çka përbëjnë karakteristikat e jetës në këtë vend. Interesi im shkon drejt sjelljes në vëmendje në njërën anë, atë të atyre objekteve të gatshme që na serviren, krejt banale, të lira, difektoze të konsumit dhe në anën tjetër elementin arkitekturor si një proces po kaq banal, të cilin në ndryshim nga i pari ne i mbajmë autorësinë.

Një skicë arkitekture, si e vlerësoni situatën e kësaj fushe në Shqipëri?

Zhvillimet arkitekturore në Shqipëri i konsideroj si refleksionin më fantastik të një epoke fantastike. Në përgjithësi arkitektura shqiptare më ngjan me një mega-instalacion të ndonjë artisti utopist, i interesuar thjesht dhe vetëm për të kryer një vepër të cilën të gjithë do të ëndërronin ta shkatërronin.

Si e vlerësoni konkursin e “Onufri”-t këtë vit, do të kemi nota pozitive për të, meqë jeni pjesëmarrës?

Ashtu siç e përmenda edhe më lart sa u përket ngjarjeve që ndodhin gjatë një viti në Tiranë, pa dyshim “Onufri” hyn në grupin e aktiviteteve elitare. Nuk më kujtohet asnjë event tjetër i së njëjtës rëndësi dhe cilësi.

Si e vlerësoni situatën e tregut të artit në Shqipëri? Ku qëndron problematika më e mprehtë lidhur me këtë çështje?

Ne nuk mund të flasim për treg arti për sa kohë ai është virtual. Nuk ka ekzistuar as më parë dhe kam frike se edhe për shumë kohë të tjera në vijim nuk do të kemi një të tillë të mirëfilltë. Për më tepër nuk arrij dot të kuptoj se përse në Shqipëri është kaq e nevojshme që vit pas viti të fabrikohen duzina të tëra studentësh-artistë, veprim ky që ç’proporcionalizon raportin midis ofertës artistike dhe kërkesës së “tregut”. Kam parasysh këtu Akademinë e Arteve, e cila i “dhuron” “tregut të artit” dhjetëra e dhjetëra ofertues të rinj. Mendimi im është se ky është një tjetër element që tregon paqartësinë e sistemit dhe institucioneve të tij që merren me përgatitjen e produktit artistik. Tregjet e artit krijohen në ato kushte kur kërkesa është e konsiderueshme, kur politikat institucionale janë të vëmendshme e të qarta në funksion të ndërtimit të mikroklimave artistike të domosdoshme. Mendoj gjithashtu se pa këto aspekte që citova është qesharake të mendosh se ekziston vërtet mundësia e tregut dhe akoma me qesharake ta furnizosh atë pa kriter. Jam i bindur se këto probleme i kanë edhe vende të tjera të ngjashme, të cilat e kanë tepër të vështirë të konkurrojnë në këtë drejtim me ato vende ku biznesi i artit është mekanizëm i jashtëzakonshëm në brendësi të sistemit që e promovon atë. Pa harruar këtu atë që është ndoshta më e rëndësishmja, nivelin ekonomik të vendit tonë.

Pse vazhdoni të jeni ekspozues në Galerinë Kombëtare të Arteve, ç’raporte keni me galeritë private të kryeqytetit?

Mendoj se Galeria Kombëtare e Arteve mbetet institucioni lider në promovimin e skenës së artit në Shqipëri. Është hapësira ideale për t’u bërë pjesë e projekteve, që ofrojnë atë shkallë serioziteti, të cilat nuk t’i ofrojnë dot “spaciot” private. Jam bërë pjesë e disa prej projekteve të rëndësishme që ajo ka pasur. Për të qenë realist, nuk shoh të tjera hapësira në të cilat të kryhen këto funksione. Shpesh në rast se do t’u referohemi atyre që ju i quani galeri private më duket se janë më shumë dhoma, kate të para apo të dyta dyqanesh, të cilat në përgjithësi shërbejnë për nevojat akute për para të pronarëve të tyre piktorë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›