Profa i repit

Ndonëse me profesion është krejt diçka tjetër, ka zgjedhur repin të na e thotë realitetin ashtu si e sheh.
Ndryshe nga të tjerët, lirikat e tij kapshëm janë një rrëfim për atë çka na rrethon 24 orë. Gazmend Kuqi – Profa flet për Express rreth artit të tij.
Gazmend, kah erdhi ideja të këndosh rep me emrin Profa?
Mirë, unë ia pata nis si Amok..., është një sindromë i Azisë juglindore, kur çartet njeriu dhe bën masakra... Pastaj, ngaqë kam dhënë mësim nëpër shkolla të mesme këtu në Prishtinë, të gjithë më kanë thirr Profa dhe kështu më ka mbet mandej.
Pra, këtë emër e ke marrë si respekt ndaj nxënësve tu?
Po, prej nxënësve, dostave e krejt kështu.
Që sa merreni me rep?
Paj me incizuar kam fillu bukur vonë, por e kisha bë një këngë para disa vjetësh.
Masandej një pauzë, tash që 1 vjet i kam incizuar mbi 30 këngë, shumicën vetë, por edhe kam bashkëpunu edhe me artistë tjerë. Edhe për atë kohë që kam abstenu, për shkak të shkollës e disa punë tjera, tani kam vendos me i ba disa këngë për ata që më kanë njohur por nuk më kanë digju pastaj një kohë. E di që masterizimi e disa efekte nuk janë bërë siç duhet, ngase qëllimi im nuk ka qenë komercial, dmth kam bërë shumë këngë për disa dëgjues që kanë një interes më të ndryshëm.
Pse keni vendos të merreni me rep?
Dëgjo, neve gjuha na e mundëson të merremi me rep, ngase gegnishtja e ka të zhvilluar narracionin edhe në vepra të ndryshme, pra është dinamike në rrëfim dhe kemi pastaj këngë epike. Prandaj është ndryshe të këndosh këtu rep, ndryshe në Tiranë, ku lirika është më e theksuar si gjini.
Po tekstet kush i punon?
Tekstet i bëj vetë, ngase një kohë kam shkruar edhe poezi. Kjo pas një kohe m’u duk shumë e thatë, prandaj vendosa me rep, diçka që me lejon të shprehem taman atë që dua.
Me kë keni bashkëpunuar deri tani?
Unë i njoh të gjithë që bëjnë rep në Kosovë, qoftë ata që njihen, por edhe disa underground që nuk njihen shumë. Bashkëpunoj me ta, shpesh u kam ofruar poezitë e mia t’i lexojnë, dhe çka mendojnë për këtë. Interesi im është ta zhvillojmë këtë si kulturë, jo të kem vetëm një sukses personal.
A ju mundëson profesioni prej psikologu t’i perceptoni disa dukuri ndryshe nga reperët tjerë?
Sigurisht, unë targetoj një kategori publiku, ndryshe nga reperët tjerë, që kanë vetëm qëllim argëtimin.
Pra, çdo këngë përmban një temë që përcjell një porosi të qartë?
E dëgjoni brenda një kënge është tema që ka fillim, ngjarje dhe porosi. Tekstet i marrë psh edhe nga temat tabu, siç është seksualizmi, agresioni etj, dhe mundohem ti zbërthej përmes një rrëfimi dinamik, që përcillet te publiku me një porosi të qartë.
Do shtoje diçka për fund?
U them atyre që u intereson repi të shkojnë në Youtube te Profa rep. Aty mund t’i dëgjojnë këngët e mia.