E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëmbi: Skënderbeu në krye brenda fazës së parë

Nga LEONARD TREBICKA

Kapiteni i korçarëve thotë se tani ekipi duhet të kishte 9 pikë dhe e cilëson Laçin testin më të vështirë deri tani

Në minutën e 2-të shtesë të javës së kaluar në Korçë, kapiteni i Skënderbeut do të merrte përsipër të godiste nga pika e bardhë e penalltisë në ndeshjen ndaj Shkumbinit, duke shënuar golin e tretë të ekipit të tij në atë ndeshje, por edhe golin e parë të sezonit për liderin e Skënderbeut.

Ky gol do të mbahet mend gjatë për Shkëmbin, i cili ia ka dedikuar vajzës së tij, Breida, të sapolindur, ndërkohë që e gjithë skuadra dhe në veçanti Xhafaj ia kanë bërë si dhuratë kapitenit.

Për këtë vetë, kapiteni edhe dje, kur kanë kaluar disa ditë, është ndier vërtet mirë, ndërkohë që nuk rri dot pa falënderuar skuadrën e tij: Dua të falënderoj të gjithë futbollistët që më dedikuan këtë gol si dhuratë për vajzën.

Në fakt, nuk është hera e parë që unë shënoj nga pika e bardhë e penalltisë, por ky gol do të më mbetet gjatë në mendje dhe prandaj do ta cilësoj golin më të bukur të karrierës. Mund tia kisha lënë ta gjuante edhe Xhafajt, por ishin shokët e ekipit që këmbëngulën për mua. Faleminderit të gjithëve!

Renditja Të them të drejtën, duhet të kishim 9 pikë në këto momente në tabelën e klasifikimit, por ja që realisht ne kemi vetëm 5 pikë. Kemi bërë gabime pa kemi kaq pikë, ndërkohë që unë them se këto 4 pikë të humbura do ti rikuperojmë shumë shpejt. Dy barazimet e javëve të para ne i kemi sfumuar me atë fitore në javën e kaluar ndaj Shkumbinit dhe e deklaroj me bindje se kampionët janë kthyer si më parë.

Tani të gjithë presin nga ne vetëm rezultate pozitive dhe ne u premtojmë një gjë të tillë, por këtë duhet ta tregojmë veçse në fushën e lojës. Personalisht ndihem vërtet mirë dhe pa diskutim që një kapiten ndihet mirë në momentin që i gjithë grupi luan mirë.

Pavarësisht se ne kemi vetëm 5 pikë deri tani dhe nuk jemi në vendet e kreut, jam i bindur që brenda fazës së parë ne do të kthehemi në majën e kësaj superlige, atje ku ishim edhe sezonin e kaluar. Nuk duhet të gabojmë nëse duhet ta bëjmë sa më shpejt një gjë të tillë, ndërkohë që unë u them të gjithëve që ky Skënderbe është rikthyer për të mos gabuar më.

Laçi Këtë të diel e them me bindje se ne do të luajmë një nga transfertat më të vështira të këtij sezoni, pasi kurbinasit luajnë një futboll burrëror në fushën e tyre dhe kanë një skuadër me futbollistë shumë të mirë. E rëndësishme për Skënderbeun është që të japë maksimumin në fushën e lojës dhe të zhvillojë një 90-minutësh të mirë, pasi nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë rezultati vjen vetë.

Gjithsesi, jam i bindur që do të jetë shumë e vështirë dhe ne prandaj jemi përqendruar prej ditësh vetëm te kjo sfidë. Atë se çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë, do ta tregojë vetëm fusha e lojës, – mbyll fjalët e tij kapiteni Shkëmbi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›