E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i Shkolollit

Drejtori i ri i Galerisë së Arteve të Kosovës, Erzen Shkololli, duke e shpalosur vizionin dhe programin e tij për rimëkëmbjen e këtij institucioni, tha se galerinë do ta bëjë pikë referente në skenën e artit bashkëkohor në botë. Nga Alfred Beka më 15 shtator 2011 në ora 14:55

I emëruar para disa ditëve në detyrën e Drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës, Erzen Shkololli premtoi se do t’ia kthej publikun kësaj galerie. Në një konferencë për media, të mbajtur në GAK, Shkololli e shpalosi vizionin e tij lidhur me menaxhimin më të mirë të kësaj galerie. Ai tregoi se pranim dorëzimi i postit është bërë javën e kaluar dhe shtoi se gjatë periudhës deri në fund të vitit do të hapen ekspozitat që janë planifikuar më herët, ndërsa programin e tij do të fillojë ta implementojë në vitin e ardhshëm.

“Do të mundohem ta përmbush vakuumin deri në fund të vitit me program, i cili do të zhvillohet për të mos mbetur galeria e zbrazur dhe prej vitit të ardhshëm do të fillojmë me programin që ia kam propozuar bordit në aplikimin e aktiviteteve të galerisë”, tha Shkololli.

Programi i tij për vitin e ardhshëm ka shumë pika, prej të cilave ai i përmendi vetëm disa.
Ai tha se si pikë të parë ka përforcimin e ekspozitave vjetore, të cilat, sipas tij, në vitet e kaluara janë shndërruar prej ekspozitave internacionale në ekspozita nacionale.

“Unë mendoj se bashkëpunimi me artistët ndërkombëtarë do ta ngritë nivelin edhe të artistëve lokalë. Kështu që duke përforcuar ekspozitat si ‘Muslim Mulliqi’, ‘Gjon Mili’ në kontekstin internacional mendoj se kështu ne mundemi ta fusim Galerinë e Kosovës si pikë referente në skenën e artit bashkëkohor në botë”, tha ai.

Pika tjetër e tij është puna në pasurimin e koleksionit të galerisë. Shkololli tha se koleksioni i galerisë është në gjendje të mjerueshme, prandaj duhet bërë zgjidhje për konservimin dhe riparimin e koleksionit.

Në planin e tij ka edhe pika të tjera si për shembull ndërtesa e galerisë, e cila duhet të riparohet, sallat ekspozuese etj.

Mirëpo, për të realizuar këto duhen mjete financiare dhe duke e ditur buxhetin e ulët që Ministria e Kulturës ia jep galerisë, Shkololli thotë se nuk do t’i drejtojë sytë vetëm kah Ministria e Kulturës, por do të kërkojë edhe tjetërkah.

“Do të mundohem që me njoftesitë e mia dhe me eksperiencën time internacionale ta rris buxhetin e galerisë. Besoj shumë shpejt në një takim me drejtorë të fondeve të ndryshme internacionale me të cilat kam bashkëpunuar edhe më herët si fondacioni ERSTE nga Austria, European Culture Foundation Amsterdam dhe Culture Bundesschtiftung Berlin.
Në konverzimet tona të mëhershme është ofruar njëfarë ndihme, por gjithmonë duke thënë se individët është gjithmonë më zor të ndihmohen, ndërsa si institucion atëherë ata i ndihmojnë edhe shtetit të Kosovës”, tha ai, duke shtuar se do të mundohet që mjetet të sigurohen edhe prej donacioneve internacionale.

Lidhur me punën e paraardhësve të tij, Shkololli preferoi të mos flasë. Ai tha se është i interesuar të flasë vetëm për të ardhmen. Ndërsa, për përzgjedhjen e tij në krye të këtij institucioni dhe për implikimet politike që e kanë përcjellë kohëve të fundit këtë institucion, në vend të tij foli Eliza Hoxha, udhëheqëse e Këshillit Drejtues të GAK-ut. “Erzeni ka qenë pjesë e njerëzve që janë intervistuar.

Kanë qenë tetë persona që kanë hyrë në listën e ngushtë dhe ka qenë Këshilli Drejtues i galerisë, i emëruar në korrik, dhe tre përfaqësues të Ministrisë së Kulturës prej personelit dhe prej sektorit për të drejtat e njeriut si vëzhgues, të cilët e kanë monitoruar procesin e intervistimit të kandidatëve dhe nuk e di nëse ka pasur implikime. Ne s’kemi pasur asnjë presion më të voglin të mundshëm”, tha Hoxha. Sipas saj, kjo është hera e parë që drejtori emërohet pikërisht me procedura të rregullta që bazohen në Ligjin për institucionet e kulturës, ku Këshilli Drejtues emëron, apo edhe e shkarkon drejtorin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›