E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progres në bisedimet për Shqipërinë në NATO

Autori i Lajmit: red.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer, deklaroi dje nga Berlini se bisedimet për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO kanë shënuar progres. Shefer deklaroi gjatë seancës parlamentare të NATO-s në Gjermani se bisedimet për anëtarësimin e plotë të dy vendeve të ftuara në muajin prill, siç është Shqipëria dhe Kroacia kanë shënuar progres dhe qëllimi i aleancës është që këto dy vende të përfundojnë zyrtarisht raundet e bisedimeve deri më 9 korrik ku pritet të firmoset anëtarësimi në NATO. Shefer deklaroi se shpresonte që edhe Maqedonia të zgjidhte çështjen e emrit me Greqinë përpara 9 korrikut, në mënyrë që edhe ajo të marrë ftesën për anëtarësim në aleancë duke bërë që procesi i ratifikimit të mos vonohet. NATO bën të ditur se aleanca po bashkëpunon me Shqipërinë në një sërë sektorësh, me interes të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Për sa i përket Serbisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-, Jap de Hop Shefer, deklaroi se do të jetë pikërisht qendrimi që do të mbajë ndaj Kosovës treguesi më i fortë i aspiratës proevropiane të këtij vendi. Shefer shtoi se forcat e NATO-s kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë shumë të mirë për të mbajtur situatën nën kontroll pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›