E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektet e Peleshit të dyshimta dhe në interes të klaneve

13/04/2010 Reagon deputetja e PD-së, Ledina Alolli

KORÇE- Projekti i kryetarit të Bashkisë Korçë, Niko Peleshi, për ndërtimin e zonës këmbësore është një projekt që i vjen në shërbim një rrethi të ngushtë klientelist afër tij, por kurrsesi qytetarëve të Korçës. Për këtë arsye, përpjekjet e tij (të Peleshit) për të përfituar financime të tjera nga qeveria janë sërish të dyshimta. Ndjeshmëria e tij se në zgjedhjet e ardhshme lokale, e shumta mund të jetë një kandidat, edhe kjo në rast se arrin të rregullojë marrëdhëniet me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, por që përfundimisht do të jetë humbës, e kanë shndërruar atë në një gënjeshtar, mashtrues, akuzator, që çdo ditë e më tepër po merr pozicionin e një njeriu që gjoja shqetësohet për hallet e qytetarëve, por që në të vërtetë e ka kthyer Korçën në një qytet të gropave, të shesheve dhe të rrugëve të amortizuara totalisht, gjë që vërtetohet edhe nga fakti që kjo bashki për tre muaj me radhë nuk ka zënë asnjë punë me dorë. Kjo ka qenë deklarata publike e deputetes së Partisë Demokratike, Ledina Alolli, drejtuar ditën e hënë kryetarit të Bashkisë, Niko Peleshi, e cila i kërkoi këtij të fundit që të mos mashtrojë qytetarët e Korçës për qëllimet e tij personale. Përplasja mes kryetarit të Bashkisë Korçë, Niko Peleshi dhe deputetes së Partisë Demokratike, Ledina Alolli, erdhi pas deklaratës së kryetarit të Bashkisë, Peleshi, i cili duke ju drejtuar qytetarëve të Korçës u bëri të ditur atyre se qeveria po pengonte financimin e ndërtimit të zonës këmbësore, e cila do të financohej nga fondet e Bankës Botërore, por që tashmë këto para do t’i hiqeshin qytetit të Korçës dhe do t’i viheshin në dispozicion një qyteti në veri të vendit. Por, sipas deputetes Alolli, “me deklaratën e tij, Niko Peleshi nuk bëri gjë tjetër, veçse u përpoq të shtirrej si i shqetësuar dhe të gënjente gjithë banorët e qytetit, duke u thënë se qeveria po pengonte investimin e ndërtimit të zonës këmbësore të qytetit, se qeveria po u binte në qafë korçarëve etj, etj. Por e vërteta nuk është kështu, tha Alolli, sepse qeveria shqiptare në vitin 2005 i dha Korçës 176 milionë lekë investime, në vitin 2006, Korça mori 540 milionë, në vitin 2007 përfitoi 665 milionë lekë, në vitin 2008 u financua me 7 miliardë lekë dhe në vitin 2009 shuma e përfituar shkoi në 11 miliardë lekë. Vetëm gjatë këtij viti nga ana e qeverisë shqiptare janë investuar 1 miliard e 600.000.000 lekë, për ndërtimin e veprave të infrastrukturës rrugore, ujësjellës, shkolla etj, ndërsa gjatë mandatit 8-vjeçar të socialistëve, Bashkia e Korçës përfitoi vetëm 17 milionë euro”, theksoi Alolli. Sipas Ledina Alollit, kryetari i Bashkisë Korçë, Niko Peleshi, bën mirë që t’u thotë të vërtetën qytetarëve. Bën mirë t’u thotë që ky projekt ende nuk është miratuar nga KRRTRSH-ja, ndaj ai nuk ka pse paragjykon nëse ky projekt do të financohet ose jo, dhe aq më shumë të gënjejë qytetarët. Veç sa më sipër, Alolli, theksoi se projektin Peleshi e ka diskutuar vetëm me rrethin e ngushtë të interesave të tij klienteliste dhe jo me qytetarët. Para së gjithash, tha Alolli, Peleshi duhet t’u shpjegojë qytetarëve se si do ta zgjidhë problemin e trafikut të makinave dhe problemet e tjera që do të dalin me ndërtimin e kësaj zone këmbësore. Për të gjitha këto arsye, vijoi Alolli, Peleshi bën mirë që të mbush gropat e bulevardeve kryesore të qytetit dhe rrugëve të tjera të periferisë, pasi në to nuk po vihet dorë qysh prej 3 muajsh. Ndërkaq i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Bashkisë, Niko Peleshi, fill pas deklaratës së bërë nga deputetja Ledina Alolli. Sipas Peleshit, “deklarata e tij e mëparshme kishte pasur lidhje me një tendencë apo kërkesë të qeverisë shqiptare për të transferuar fondet e Bankës Botërore të projektit të zonës këmbësore në një qytet në veri”. “Kjo deklaratë e bërë nga ana ime, tha Peleshi, nuk pati theks politik, por vetëm një shqetësim qytetar për të mos lejuar që fondet e projektit të rëndësishëm të Korçës të mos transferoheshin diku tjetër”. Në vijim të fjalës së tij, Peleshi e konsideroi projektin në fjalë si tepër të rëndësishëm, serioz dhe të konsultuar me grupet e interesit. “Veç kësaj, tha Peleshi, projekti ka marrë miratimin e KRRT-së së Bashkisë dhe miratimin e Komitetit të Grandeve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›