E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Së shpejti pa viza shqiptarët e boshnjakët”

PARIS- Ministrat e Jashtëm të Francës dhe Italisë, përkatësisht Bernard Kouchner dhe Franco Frattini, janë shprehur për liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe boshnjakët, në një artikull të përbashkët të publikuar sot në të përditshmen "Le Monde".
"Brenda një afati të shkurtër, shpresojmë në veçanti se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina mund të përfitojnë liberalizim vizash për qëndrim të shkurtër në hapësirën Shengen", shkruajnë në të përditshmen franceze dy ministrat, të cilët biseduan për perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor në samitin franko-italian të premten në Paris.
Zona e quajtur Shengen përfshin vendet e Bashkimit Evropian, përveç Britanisë së Madhe, Irlandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Islandës.
Sigurisht, shtojnë dy ministrat, "duhet të përmbushen kushtet teknike, por nuk duhet të lejojmë krijimin e idesë se myslimanët e Ballkanit do të diskriminohen dhe se nuk do të lejohen të përfitojnë nga masa nga të cilat përfitojnë serbët ose malazezët që prej fundit të vitit 2009".
"Liria e qarkullimit në BE është themelore për t'u bërë të mundur popujve të Ballkanit Perëndimor të ndihen anëtarë të familjes evropiane", shtojnë ata.
Blloku me 27 anëtarë hoqi në nëntor detyrimin e vizave për shtetasit serbë, malazezë dhe maqedonas në zonën Shengen.
Komisioni Evropian pritet të vlerësojë së afërmi mundësinë e heqjes së detyrimit të vizave për shtetasit boshnjakë.
Në të njëjtin artikull, Kouchner dhe Frattini kujtojnë se Serbisë dhe Kosovës, "që kanë prirje të njëjtë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, u duhet ende punë për të organizuar bashkëjetesën". "Pa vënë në zbatim të paktën fqinjësinë e mirë, përkatësia në të njëjtin bashkim është e pamundur dhe Franca dhe Italia kanë të njëjtin mendim lidhur me këtë çështje", theksojnë ata.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›