E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti “Shujtë për të gjithë” fillon suksesshëm me Mitrovicën

Mitrovicë, 9 gusht - Tanimë një hapësirë jo shumë e madhe por me kapacitet të mjaftueshëm në Komunën e Mitrovicës është vendi ku 200 persona që kanë gjendjen e rëndë sociale dhe persona tjerë në nevojë çdo ditë mund të ushqehen me shujtë ditore në kuzhinën popullore, e cila është realizuar në kuadër të projektit “ Shujtë për të gjithë”.
Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit që ka të bëj me projektin “Shujtë për të gjithë”, të nënshkruar ditë më parë me Komunën e Mitrovicës sot bëri hapjen e parë të kësaj kuzhine popullore për të pasuar në ditët në vijim me komunat tjera të Kosovës.
Zyra për komunikim publik e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) bën të ditur se ky projekt i dizajnuar nga kjo ministri synon të ofron një shujtë ditore tërë vitin gjithë atyre individëve, apo familjeve me varfëri të skajshme dhe me gjendje të rënduar ekonomike dhe sociale.
“Unë mendoj se kemi bërë një punë shumë humane ku ata persona apo ato familje me gjendje të rëndë ekonomike do të kenë mundësinë së paku të kenë një shujtë të ngrohtë ditore dhe unë mendoj se ky projekt shumë shpejt do të fillon të implementohet edhe në disa komuna të Kosovës”, tha ndër të tjera Rashiq.
Kryetari i KK të Mitrovicës, Avni Kastrati, ka falënderuar ministrin Rashiq për angazhimin e MPMS-së në këtë projekt me rëndësi të veçantë për Komunën e Mitrovicës dhe ofroi bashkëpunim të vazhdueshëm për zhvillimin e projekteve tjera në të ardhmen që do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët në nevojë të kësaj komune.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›