Projekti i CEZ: Si të llogarisni konsumin e energjisë
Kompania CEZ ka prezantuar dje projektin Llogarit vetë sa energji harxhon, i cili në thelb do tu mundësojë qytetarëve të krijojnë një ide të përafërt rreth faturave të tyre. Projekti, i vendosur në faqen zyrtare të CEZ, detajon koston e punës që kanë elektroshtëpiaket e secilit, mjafton që qytetari të kërkojë informacionin sipas specifikave. Sipas CEZ, njohja nga afër e elektroshtëpiakeve që harxhojnë më shumë energji dhe atyre që harxhojnë më pak, i mundëson qytetarit që të hartojë një plan kursimi. Llogaritësi interaktiv tregon mesataren e konsumit ditor dhe mujor të secilës elektroshtëpiake që klientët përdorin, si edhe jep përllogaritjen totale të konsumit mujor. Ky llogaritës është pjesë e projektit të CEZ Shpërndarje për të informuar dhe ndërgjegjësuar klientët se si të llogarisin, ekonomizojnë dhe përdorin energjinë elektrike, thuhet në deklaratën e CEZ. Ndërkaq, projekti do të shoqërohet edhe me emisione televizive apo fletëpalosje, në mënyrë që informimi i qytetarëve të jetë sa më i plotë dhe për gjithë kategoritë.