E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Projekti ka ngelur në mungesën e investimeve të mëdha”

Autori i Lajmit: red.
Deputeti i PD-së dhe nismëtari për ndërtimin e projektit të Korridorit 8 në Parlament, Preç Zogaj, në një intervistë ekskluzive për “Ballkan”, ka shpjeguar arsyet se cilat janë pengesat reale për ndërtimin dhe financimin e këtij projekti madhor që përfshin katër shtete të rajonit. Zogaj ka shpjeguar se Shqipëria duhet të bëjë të pamundurën që të gjejë mënyrën të nxjerrë projektin e Korridorit 8 nga sirtarët e BE-së në Bruksel.
Korridoi 8 po nis të diskutohet tashmë mes vendeve përfshirëse. Ju si nismëtar në parlament i këtij projekti, ku gjykoni se ka ngelur projekti dhe çfarë duhet të bëhet për ndërtimin e tij?
Unë nuk kam marrë pjesë në këtë konferencë, pavarësisht se në legjislacionin e kaluar e kam ndjekur me vëmendje të veçantë gjithë ecurinë e “Korridorit 8”. Nuk ekziston një përgjigje kaq e fortë; ka ngecur këtu apo ka ngecur atje, sepse ky korridor është një kompleks i gjerë. Në njërën anë mund të themi se ai po bëhet, dhe në anën tjetër mund të themi se ka ndalur në vend. Sepse ka vepra që i përkojnë këtij korridori. Po në thelb, me aq sa di unë, mund të them këtë gjë që: financimi i korridorit si një pol zhvillimi dhe si një korridor kompleks ku bashkohen rrugët (autostradat), hekurudhat, linjat telefonike, kabllot elektrike, industria e gazit e me radhë. I parë si i tillë ka ngecur në mungesën e investimeve të mëdha. Ky korridor ka qenë dhe është në listën e atyre që quhen prioritete të BE-së, por nuk është mbuluar me financime të fuqishme. Ka ngelur pa përgjigje pyetja kyçe: korridori do të ndërtohet nga vendet ku kalon korridori, apo do të financohet nga një ombrellë siç është Bashkimi Evropian, apo një Bankë Ndërkombëtare?
Si e shihni ju konferencën e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë me pjesëmarrjen e komisioneve parlamentare të Transportit dhe Tregtisë të vendeve të Korridorit 8?
Mendoj se në nivelin parlamentar takimi i fundit është i rëndësishëm thjesht për të sensibilizuar. Por për të gjitha pyetjet që shtrohen mbi këtë projekt, janë dhënë dhe jepen përgjigje të sakta nga një institucion që është Sekretariati i Korridorit 8 me qendër në Bari të Italisë. Pra është zyra ekzekutive e projektit, sepse Italia ka patur dhe ka peshën më të madhe të mundësisë për të nxjerrë korridorin nga sirtaret e Brukselit. Korridori është në sirtare të BE-së. Problemi shtrohet se korridori si i tillë do të tregohet, serviret, i tërë në gjithë kompleksitetin e vet, si një projekt zbatimi jo thjesht si një ide? Projektzbatimi si autostradë, që lidh Varnën me Durrësin dhe më pas përfundon në portet e Barit dhe të Brindizit? Do të ekzistojë si projektzbatimi i hekurudhave, i linjave të energjisë elektrike e me radhë, dhe a do të financohet nga vendet respektive të këtij korridori? Këto janë pyetje që tashmë kërkojnë përgjigje konkrete. Korridori si gjurmë ekziston dhe lidhjet po ecin ndërmjet shteteve, me rrugë me dy apo tri korsi, me autostrada që ndërpriten. Ekziston gjurma por korridori me vizionin e parë që lidhet me studimin e fizibilitetit që është bërë në kohën e Presidentit Klinton, është akoma në sirtar. Është një korridor shumë i rëndësishëm që do të prodhonte rezultate shumë pozitive në zhvillimin e Evropës Juglindore e më gjerë, si dhe në lidhjet me Azinë.
Sa ndikon Greqia në mosmiratimin nga BE-ja të këtij korridori, duke parë se Shqipëria ka ende pengesë çështjen e liberalizimit të vizave?
Grekët e kanë marrë gjithmonë seriozisht problemin e investimeve me projekte që kanë dhe kjo për vetë pozicionin strategjik që kanë. Ata me institutet e tyre gjithnjë u kanë paraprirë zhvillimeve të kësaj natyre të këtij rrafshi, sepse Korridori 8, ashtu siç shprehet në studimin e fizibilitetit, krijonte disa probleme për Greqinë, pasi nuk ishte vendi i përfshirë drejtpërdrejt, por në mënyrë indirekte. Por ishte dhe vendi që mund të ketë perceptuar se do të humbte ndonjë gjë nga ndërtimi i Korridorit 8! Grekët kanë ndërtuar me kohë korridorin e tyre, Selanik-Igumenicë, dikur unë e kam pas quajtur sozia e Korridorit 8. Grekët kanë punuar fort për të rritur kapacitetet dhe rëndësinë e portit të Pireut dhe porteve të tjera strategjike të tyre në lidhje me flukset e mallrave që vijnë dhe shkojnë nga Azia në Evropë dhe anasjelltas. Ata ecin me studime në këtë rrafsh, por ne duhet të gjejmë zgjidhje. Një gjë është se këto janë çështje që kërkojnë vëmendje çdo ditë me të rejat e fushës. Beteja e korridoreve, e rrugëve, shkëmbimet tregtare dhe ato të transportit janë një botë e madhe që zhvillohet mbi sipërfaqe por që zhvillohet edhe nënsipërfaqen e projekteve. Janë zhvillime që duken dhe s`duken, ne duket t i dallojmë këto fenomene; ç po ndodh? Synimi ynë është që të risim rëndësinë e vendit tonë, si një vend transit, por edhe si një vend portual sidomos. Në Lezhë ne këmi punuar fort për të projektuar me një shoqëri sllovene portin e ri të “Shëngjinit”, është një vendim strategjik që do të marrë qeveria shqiptare. Për të gjitha këto çështje duhet lëvizur me shpejtësi dhe të mos biem në rutinë. Porti i ri është një projekt që po përfundon, ka marrë mbështetjen e qeverisë si projekt ide në fazën e parë dhe tashmë po përfundon si projekt zbatimi
Ky lajm është publikuar: 06/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›