Strazimiri nga Vjena: Karta identiteti para zgjedhjeve të 2009-ës
Me regjistrimin elektronik të adresave dhe të qytetarëve të saj, Shqipëria me shpërndarjen e kartave të identitetit përpara zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës dhe me prodhimin e pasaportave biometrike, po renditet në listën e vendeve të sigurta për identifikimin e shtetasve të saj. Ndërkohë që këto dokumente me teknologji më moderne do të jenë nga më të sigurtat në Evropë dhe do të përdoren për tri qëllimet e përbashkëta të OSBE-së dhe Shqipërisë, identifikimin e shtetasve, qeverisjen elektronike, si dhe do të shërbejnë si dokument i besueshëm udhëtimi. Kështu e ka cilësuar zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, prodhimin e kartave të identitetit, të cilat sipas tij, do jenë gati brenda zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Deklarata ka ardhur nga Vjena, Austri, ku numri dy i dikasterit të rendit ka marrë pjesë në konferencën “Mbi partneritetin e autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit në luftën kundër terrorizmit”, organizuar në datat 15-16 shtator.
Gjatë fjalës së tij, Strazimiri përcolli moton e qeverisë shqiptare se lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar është mjeti më efektiv në luftën kundër terrorizimit. Ndërkohë që, zv.ministri i Brendshëm vuri në dukje faktin se në këta tre vjet Shqipëria është shndërruar në vendin që po prodhon siguri për fqinjët e saj, dy prej të cilëve anëtarë të Bashkimit Evropian, duke zbatuar qëndrimin me zero tolerancë kundër organizatave kriminale, të cilat ofrojnë infrastrukturën e nevojshme për terrorizmin.
Gjithashtu, në fjalën e tij Strazimiri evidentoi rezultatet e Shqipërisë për reduktimin në minimumin historik të trafiqeve të paligjshme, veçanërisht të trafikut të drogës, armëve dhe klandestinëve, duke e hequr kështu përfundimisht Shqipërinë nga lista e vendeve problematike.
Një çështje tjetër me rëndësi e trajtuar gjatë konferencës 2-ditore në Vjenë, ishte dhe forcimi i dokumenteve të udhëtimit, si një nga shtyllat kryesore të OSBE-së kundër terrorizmit. Në këtë kontekst, Strazimiri theksoi se “Shqipëria, me regjistrimin elektronik të adresave dhe të qytetarëve të saj, me shpërndarjen e kartave të identitetit përpara zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës dhe me prodhimin e pasaportave biometrike, po renditet në listën e vendeve të sigurta për identifikimin e shtetasve të saj”.
Duke i cilësuar këto tri momente si prioritete madhore të qeverisë shqiptare, zv.ministri evidentoi faktin se “këto dokumente, ku po përdoret teknologjia më moderne, do të jenë nga më të sigurtat në Evropë dhe do të përdoren për tri qëllimet e përbashkëta të OSBE-së dhe Shqipërisë: identifikimin e shtetasve, qeverisjen elektronike, si dhe do të shërbejnë si dokument i besueshëm udhëtimi”. Sipas tij, “në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me OSBE-në, Shqipëria është bërë pjesë aktive në përpjekjet e kësaj organizate për të koordinuar më mirë politikat e vendeve anëtare me sipërmarrësit privat dhe shoqërinë civile në luftën kundër terrorizmit”.