Projektligji për financimin e besimeve fetare, gati për miratim në Kuvend
Projektligji për financimin e besimeve fetare mësohet se është gati, dhe do të kalojë për miratim në Parlament. Bëhet fjalë për financimin e katër besimeve, myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashi. Projektligji do të ketë 14 nene, në të cilat parashikohet financim për mirëmbajtje apo ndërtim të objekteve të kultit, objekteve të turizmit fetar dhe restaurim të qendrave të pelegrinazhit.
Por, krahas tyre në projektligj parashikohet edhe financim për shkollat që administrohen nga komunitetet fetare, për të cilat shteti do të mbështesë pagat e arsimtarëve. Këto financime do të bëhen në bazë të projekteve që të katërta besimet fetare do i paraqesin Komitetit Shtetëror të Kulteve. Pritet që ky projektligj të miratohet në seancën e fundit të këtij parlamenti, në datën 11 maj. Kalendari zyrtar i punimeve parlamentare për periudhën trejavore (23 prill-14 maj) ka parashikuar mbledhjen e Kuvendit në muajin maj në vetëm një seancë, atë të datës 11 maj. Axhenda e parlamentit për këtë mbledhje të fundit të tij është planifikuar shumë e ngjeshur, me një rend dite që përfshin rreth 15 pika.