E Hënë, 2 Nëntor 2026

Projektligji për ish-sigurimsat, iniciatorët nuk tërhiqen

17/02/2005  Ndoka, Cako dhe Berzani kërkojnë mbështetjen e deputetëve për kalimin e ligjit

Iniciatorët e ligjit për përjashtimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit nga politika, Ndoka, Cako dhe Berzani, kanë ndërrmarë dje një fushatë parlamentare, për të marrë përkrahjen për miratimin e projektligjit të rrëzuar një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve. Iniciatorët pretendojnë se në parlamentin aktual ka të paktën 37 deputetë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë direkt ose indirekt të ish-sigurimit të shtetit. Ligji në fjalë parashikon hapjen e dosjeve për çdo person, që ka qenë në shërbim të policisë sekrete të diktaturës dhe që kërkon të futet në garën e kandidimit për deputet, ose në poste të larta të administratës shtetërore. Ndërkohë, që ligji është votuar kundër që në fazën e parë të diskutimit, tre deputetët e opozitës, që ditën e djeshme kanë ndërmarrë një fushatë, sidomos në radhët e maxhorancës, ku kërkojnë përkrahjen e deputetëve shqiptarë për plotësimin e kuorumit të nevojshëm, me qëllim miratimin e draftit në parlament. Deputeti i PDR-së, Nard Ndoka, në një prononcim të tij është shprehur se "me sanksionet që parashikon projektligji i hartuar nga tre deputetët, pastrohet politika dhe administrata nga njerëzit, që mund të përdoren për shkak të mëkateve të bëra më parë". Ideuesit e këtij projektligji thonë se për ata persona që do të kërkohet publikimi i dosjeve, nuk do të ketë kufizim të lirisë. Por, pasi publiku të marrë vesh rreth aktivitetit të tyre, ata sërish janë të lirë të konkurrojnë apo të marrin vota nga qytetarët. Pavarësisht nga çka thonë iniciatorët e ligjit, një ditë më parë anëtarët e Komisionit të Ligjeve u shprehën kundër. Sipas deputetëve që votuan kundër, projektligji në fjalë është antikushtetues dhe bie ndesh me konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë qenë të mendimit se ky projektligj mbron hetimin dhe gjykimin ndaj qytetarëve për veprime të cilat ata i kanë kryer në një kohë kur ato nuk konsideroheshin si vepër penale. Gjithsesi iniciatorët e ligjit janë shprehur të gatshëm që të bëjnë dhe ndonjë ndryshim në projektligj, me qëllim që ai të marrë mbështetjen nga shumica e deputetëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›