E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji për lojërat e fatit, një proces korruptiv

Projektligji i ri për lojërat e fatit u cilësua dje nga Partia Socialiste si një proces korruptiv. Erion Braçe deklaroi se procesi ligjbërës me burim në qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha është kapur dhe po vihet gjithnjë e më tepër në shërbim të një klientele, tashmë e shquar si përfituesja kryesore më e madhe e të gjitha të mirave publike. Kjo lloj mënyre qeverisjeje, theksoi ai, ky proces korruptiv ligjbërjeje ka dëshmuar në mënyrën më tragjike të mundshme efektet kriminale të vendimmarrjes së Sali Berishës në respekt apo të përfitimeve marramendëse të familjes së tij politike dhe për më keq akoma të familjes së tij biologjike. "U provua në kohë reale se vendimi i Sali Berishës për të shpërndarë favore tatimore me licenca preferenciale edhe në biznesin e bixhozit, për klientët e tij politikë kanë synim t‘u rrjepin shqiptarëve paratë në mbarim të arkëtimit, apo qindarkat e sakrificës që në mënyrë iluzive mendojnë t‘i shtojnë të joshur nga liberalizimi që Sali Berisha po i bën biznesit të bixhozit në këtë vend", nënvizoi Braçe. Ligji që është në diskutim në Kuvendin e Shqipërisë, vijoi ai, me iniciativë të Kryeministrit Sali Berisha dhe me ndikimin e drejtpërdrejtë për ta miratuar atë në kohë rekord, është korruptiv, është klientelist dhe është kriminal. "Është kriminal pasi liberalizon totalisht biznesin e bixhozit, duke garantuar përhapjen e tij në çdo cep të vendit, nga Tropoja e tij e deri në Konispol, kur dihet se ky biznes, ashtu siç edhe biznesi tjetër me tregtinë e armëve dhe municioneve, nuk është si biznesi i energjisë, fjala bie, madje nuk është as si biznesi tashmë shumë i përhapur i zyrave juridike në territorin e Republikës së Shqipërisë", u shpreh Braçe. Ligji është kriminal, argumentoi ai, pasi nuk vendos kufizime në hapësirë për përhapjen, apo kufizime në CV-në penale të biznesmenëve apo bizneseve, shoqërive që licencohen në biznesin e bixhozit. Sali Berisha, tha ai, kërkon ta liberalizojë këtë ves jo vetëm në hapësirë, por kërkon ta liberalizojë dhe ta përhapë këtë ves edhe në moshat më të reja, në të gjithë brezin e ri në Republikën e Shqipërisë, madje në moshën më kritike, në moshën 18-vjeçare, e cila korrespondon thjesht dhe vetëm me mbarimin e shkollës së mesme. "Pra edhe një vrasësi që është dënuar me dy-tre apo 15 vite burg, që sot është i lirë, edhe një hajduti, edhe një të korruptuari që ka kryer dënimin dhe sot i gëzon paratë nga aktiviteti i tij kriminal, i lejohet që tashmë të hyjë në këtë biznes dhe të ushtrojë këtë biznes", konstatoi Braçe. Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar Ministria e Financave, e cila theksoi se "Ligji i propozuar synon të dekurajojë përhapjen e pakontrolluar të veprimtarive në një numër shumë të madh njësish, pasi vendos detyrime fiskale jo vetëm për kompaninë në tërësi, por për çdo njësi lojërash fati që vepron brenda licencës së të njëjtës kompani. Vetëm në tri vitet e fundit nga kontrolli i kësaj pjese të tregut të ardhurat nga lojërat e fatit dhe kazinotë janë rritur me 12 herë (nga 187 milionë lekë në 2.3 miliardë lekë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›