Punësimi i invalidëve; Institucionet shtetërore nuk zbatojnë ligjin
Punësimi i personave me aftësi të kufizuara është një detyrim ligjor, për të gjitha institucionet dhe kompanitë private apo publike. Sipas ligjit mbi invaliditetin, çdo kompani duhet të ketë 1 punonjës invalid në 25 të tillë. Por, duket se një pjesë e institucioneve shtetërore nuk e zbatojnë ligjin në këtë pikë. Burime nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se shumica e drejtorive qendrore nuk ka numrin e nevojshëm të personave me aftësi të kufizuar të punësuar në të. Ndërkohë që zyrtarisht Ministria e Punës tregon se nuk ka informacion mbi numrin e të punësuarve. Në përgjigjen e kthyer ndaj kërkesës sonë, specialistët e punës tregojnë se në këtë ministri janë të punësuar 3 persona me aftësi të kufizuar, njëri prej të cilëve ligjërisht llogaritet për tre, pasi është me invaliditet të plotë. Në këtë mënyrë, ky institucion e plotëson kriterin prej 1 invalid për 25 të punësuar. Por, për sa i përket pyetjes së dytë për numrin e invalidëve në institucione të tjera, specialistët thonë se nuk ka asnjë informacion. “Nga Ministria e Arsimit dhe të Shkencës dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kemi informacion mbi numrin e personave me aftësi të kufizuar që janë punësuar në këto institucione”, – thuhet në përgjigjen zyrtare. Burime konfidenciale nga kjo ministri bëjnë me dije se shumë institucione nuk e plotësojnë këtë kriter.