E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti çek Klaus vlerësojnë bashkëpunimin ekonomik në rritje mes Shqipërisë dhe Çekisë.

5 tetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave Presidentin e Republikës së Çekisë, Vaçslav Klaus, i cili me ftesë të Kryetarit të Shtetit shqiptar viziton zyrtarisht vendin tonë në datat 5-6 tetor, në krye të një delegacioni të gjerë ku përfshihen edhe shtatëmbëdhjetë përfaqësues të biznesit çek.

Pas pritjes ceremoniale solemne, dy Presidentët patën një takim kokë më kokë dhe më pas ata drejtuan bisedimet mes dy delegacioneve respektive. Në përfundim të tyre, Presidenti Topi dhe Presidenti i Çekisë, Klaus dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Topi: Është kënaqësi e veçantë që ndodhem këtu para jush. I uroj mirëseardhjen në Shqipëri Presidentit Klaus dhe delegacionit që e shoqëron!

Dëshiroj dhe një herë të shpreh gëzimin për vizitën e tij në Tiranë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Çekisë. Këto marrëdhënie janë sa tradicionale edhe aktuale. Këto marrëdhënie, duke respektuar traditën në vitet e demokracisë në Shqipëri janë intensifikuar ndjeshëm në të gjitha nivelet. Shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta është tregues i këtyre marrëdhënieve dhe dialogu politik që ekziston gjithashtu, por kjo nuk mjafton. Krahas vizitave dhe dialogut politik, kemi edhe marrëdhënie ekonomike mjaft të vlerësueshme.

Së bashku me Presidentin Klaus i diskutuam çështjet e ditës, situatën politike në vendet respektive, marrëdhëniet bilaterale, mbështetjen reciproke në kuadrin e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Kemi folur relativisht gjatë edhe për çështjet e zhvillimeve rajonale, pra të rajonit ballkanik duke u fokusuar kryesisht në çështjen e Kosovës dhe të ardhmes së saj. E informova zotin President për stabilitetin e institucioneve të Shqipërisë, për aspiratën integruese të Shqipërisë. E falënderova për ndihmën që Çekia i ka dhënë Shqipërisë në këtë drejtim. Nuk është e rastit që ne aplikuam për në BE në kohën e presidencës çeke.

Padiskutim që ka mjaft elemente bashkëpunimi që fillojnë me ekonominë, vazhdojnë me turizmin, me kulturën. Pra në këtë kontekst janë zhvilluar bisedimet.

Zoti President edhe një herë në këtë komunikim të shkurtër me median, më lejoni drejtpërdrejt t’ju falënderoj për predispozicionin tuaj personal, që jeni i ndjeshëm në marrëdhëniet bilaterale dhe në kontekstet rajonale. Edhe një herë, mirëserdhët në Shqipëri zoti President!

Presidenti Klaus: Zoti President, Zonja dhe Zotërinj,

Më lejoni dhe një herë t’ju falënderoj për ftesën që më bëtë duke bërë të mundur që unë të vizitoj Shqipërinë në mënyrë zyrtare! Nuk e kam bërë dot këtë gjë më përpara dhe ky është rasti i mirë për t’ju shlyer borxhin. Erdha këtu për të treguar interesin e Republikës çeke për rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat. Ne jemi të interesuar për marrëdhëniet politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe turistike gjithashtu. Gjatë dy ditëve të ardhshme do të kemi përpara një program intensiv, të cilin presim me padurim ta përmbushim.

Qysh nga prilli i këtij viti ne jemi dhe partnerë në bashkësinë euroatlantike, në Aleancë. Ne shpresojmë dhe ju urojmë më të mirën duke shprehur dhe dëshirën për ta mbështetur të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ajo që mund t’ju them është që sot në mëngjes ne patëm disa diskutime shumë miqësore dhe shumë serioze gjithashtu. Prekëm shumë çështje që u përkasin marrëdhënieve tona dypalëshe po gjithashtu dhe në kontekstin rajonal dhe mezi ç’pres që t’i vazhdoj këto diskutime sot dhe nesër.

Dëshiroj t’ju bëj me dije gjithashtu, ta shpall publikisht që e ftova Presidentin Topi për të bërë një vizitë zyrtare në Republikën çeke.

Top-Channel: Kam një pyetje për Presidentin Klaus. Zoti President, ju jeni shprehur se nuk do ta firmosni Traktatin e Lisbonës sa kohë Gjykata juaj Kushtetuese nuk është shrpehur për kërkesën që ka bërë një grup senatorësh. A jeni i ndërgjegjshëm që për Shqipërinë është shumë e rëndësishme që ky traktat të ratifikohet, sepse do t’i hapte rrugën zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian? Dhe në rast se Gjykata Kushtetuese do të shprehej se ka përplasje me Kushtetutën, pse nuk merrni parasysh ndryshimin e kushtetutës suaj, sikurse ka ndodhur në Francë në vitin 1992 me rastin e Traktatit të Manstrihtit?

Presidenti Klaus: Kjo nuk është një pyetje. Kjo është një deklaratë politike, ndoshta e një aktivisti, i cili po e përdor këtë konferencë shtypi për të shprehur pikëpamjet e veta. Nuk kam ardhur këtu për të diskutuar ratifikimin e Traktatit të Lisbonës brenda në Republikën e Çekisë dhe nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për ju. Përsa i përket momentit është e pamundur që të ratifikohet ky Traktat se kjo do të diskutohet dhe do të debatohet si në Gjykatën Kushtetuese të Republikës çeke ashtu dhe në institucionet përkatëse të saj. Kështu që edhe sikur do të doja të nënshkroja Traktatin unë nuk mund ta nënshkruaj atë. Kam vetëm një koment për fjalinë tuaj të dytë. Analiza juaj është e gabuar. Këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim nga ana juaj, me një keqkuptim tragjik mund të them, sepse nënshkrimi i Traktatit të Lisbonës nuk është e thënë që do të zgjerojë Bashkimin Evropian.

News 24: Ratifikimi i Traktatit të Lisbonës e gjen Shqipërinë në një situatë politike natyrisht jo të favorshme për momentin. A mendoni se e cënon perspektivën evropiane të vendit tonë një klimë politike ku duken hapur mosmarrëveshjet mes partive politike, në një krah protesta dhe nga ana tjetër një refuzim nga ana e partive politike?

Presidenti Topi: Natyrisht që marrëdhëniet politike në një vend që frymëzon integrimin janë shumë të rëndësishme. Vendi, sikurse çdo vend tjetër demokratik ka nevojë për një marrëdhënie institucionale mes mazhorancës dhe opozitës. Vetëkuptohet që thirrja frekuente është për këtë lloj bashkëpunimi, i cili është jetik për të ardhmen e vendit. Ka mjaft çështje, edhe në retrospektivën e afërt ku përtej mosmarrëveshjeve janë arritur konsensuse të rëndësishme. Përveçse apelit për bashkëpunim që vjen nga Presidenti, i tërë vullneti për bashkëpunim është i partive politike. Dhe kuptohet në parim që sa më i rëndësishëm të jetë ky bashkëpunim, aq më i lehtë është procesi i integrimit. Pra, për ta ilustruar më tej, ajo që kërkohet nga Evropa e bashkuar është vazhdimi i reformave dhe në mënyrë të veçantë të reformës në fushën e drejtësisë. Patjetër që kërkohet bashkëpunim, jo thjesht politik, por edhe formal për të arritur numrin e nevojshëm të konsensusit për të miratuar reformat e mëdha në drejtësi. Unë e vlerësoj shqetësimin tuaj. Unë jam i bindur që nuk do të ketë asnjë lloj pengese nga askush për të pasur kurajon të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky është një proces i sigurtë, i cili do të finalizohet me sukses.

Televizioni Publik Çek: Kam një pyetje për Presidentët. A folët ju sot për çështjen e Kosovës?

Presidenti Klaus: Natyrisht që ne diskutuam dhe për Kosovën. Nuk është se dolëm në ndonjë konkluzion revolucionar. Presidenti Topi më shpjegoi këndvështrimin e tij se si e shikon të ardhmen e një vendi të përhershëm siç është Kosova dhe kështu që nuk kam ndonjë gjë tjetër për të thënë.

Radioja shtetërore çeke: Pyetja është për të dy Presidentët. Ju lutem, a mund të jeni pak më shumë specifik përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe, sidomos sa u përket marrëdhënieve të biznesit, apo për mundësitë që ka Shqipëria për të pasur një rrugë të sigurtë për në Bashkimin Evropian.

Presidenti Topi: Presidenti Klaus e deklaroi dhe pak më parë që shoqërohet nga një grup bizesmenësh që për vizitën e një presidenti është një element shumë sifinjikativ, ç’ka do të thotë se vjen jo thjesht për të folur për politikë, por dhe për çështje konkrete të komunikimit të botës së biznesit. Nesër në mëngjes së bashku do të marrim pjesë në Forumin Ekonomik ku do të japim dhe mesazhet tona specifike në fushën e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona. Aty nuk do të flitet thjesht për perspektivën, sepse kemi shumë për të foluar dhe për retrospektivën. Aktualisht sot marrëdhëniet e biznesit mes dy vendeve tona janë në progres, në rritje. Disa kompani të fuqishme çeke janë prezente në Shqipëri dhe në fusha mjaft të rëndësishme si ajo e industrisë minerare dhe sa i përket shpërndarjes së energjisë elektrike. Padyshim që është folur shumë për mundësitë që ofron zhvillimi i turizmit, zhvillimi i kulturës dhe shkëmbimi i eksperiencës. Ka shumë fusha të cilat ne mund t’i citojmë, por për të qenë racionalë në këtë konferencë për shtyp mund të themi që ka ekuivalencë të plotë midis rëndësisë së dialogut politik dhe rëndësisë së zhvillimit ekonomik midis dy vendeve tona.

Presidenti Klaus: Unë do të flas shumë shkurt, sepse Presidenti Topi e shpejgoi shumë mirë situatën. Unë mund t’ju them që politikanët kanë pasur sukses ndërkaq duke ndërtuar kuadrin e duhur elementar përsa i përket rritjes së marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve tona. Dhe unë dua të theksoj që ambicia ime gjatë kësaj vizitë është që të nënvizoj rëndësinë e kësaj gjëja. Siç e përmendi dhe Presidenti Topi unë kam sjellë me vete një grup biznesmenësh, të cilët pikërisht në këto çaste po punojnë duke bërë marrëveshje pozitive me homologët e tyre. Unë shpresoj që Televizioni Çek sot do të japë pamje, do t’ua bëjë të qartë shikuesve çekë që në Shqipëri temperatura shënon 25 gradë në mes të tetorit dhe kjo është ftesa më e mirë që mund t’ju bëjë turistëve të ardhshëm çek që të vijnë në këtë vend.

Ne diskutuam gjithashtu dhe dy-tri gjëra që janë të rëndësishme në marrëdhëniet tona. Diskutuam për regjimin e vizave, i cili duhet të përmirësohet dhe të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë dhe gjithashtu diskutuam dhe një çështje tjetër e cila është e rëndësishme për një linjë direktë avionësh mes Tiranës dhe Pragës. Fluturimi direkt do të mundësonte dhe takime të tjera me Presidentin Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›