E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektohet vendosja e një linje ajrore direkte

24/03/2010 Shqipëri-Kuvajt

Shqipëria dhe Kuvajti programojnë të vendosin një linjë fluturimi që do të lidhë dy vendet. Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë së Kuvajtit, Rashid al Hamad, në takimin e djeshëm kanë theksuar se një linjë e tillë do të mundësojë forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, numri dy i qeverisë kuvajtiane gjatë bisedës me kreun e qeverisë shqiptare shprehu interes për bashkëpunim të biznesit të të dyja vendeve. Ai nënvizoi se vendosja e një linje ajrore direkte do të ndikonte pozitivisht në këtë drejtim. Nga ana e tij shefi i ekzekutivit shqiptar theksoi rëndësinë e hapjes së ambasadave përkatëse në të dyja vendet, si një hap që do të ndikojë jo vetëm në rritjen e marrëdhënieve ndërshtetërore, por edhe atyre ekonomike. Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e investitorëve kuvajtianë në ekonominë shqiptare dhe paraqiti potencialin e vendit tonë për investim të kompanive kuvajtiane, kryesisht në sektorin e energjisë dhe atë të turizmit. Berisha ka vlerësuar dhe falënderuar qeverinë e Kuvajtit për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë që pas rënies së komunizmit, si dhe vlerësoi lart kontributin e Fondit Kuvajtian në financimin dhe realizimin e dhjetëra projekteve me rëndësi. Ai përmendi investimin e fundit të Fondit për ndërtimin e rrugës që njihet si “Boshti i Jugut”, një projekt që do të ketë ndikim të madh në ekonomi dhe turizëm. Në njoftimin për shtyp bëhet me dije se kryeministri Berisha e siguroi zëvendëskryeministrin Al Hamad për mbështetjen e qeverisë shqiptare për investimet kuvajtiane, si dhe i transmetoi përshëndetjet më të përzemërta për Emirin dhe kryeministrin e Kuvajtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›