E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtarët abuzojnë me peshën e mallit

24/03/2010 Vjedhja tek karburantet, gazi i lëngshëm, fruta-perimet dhe produktet e parapaketuara

KORÇE- Tregtarët e karburanteve, të shitjes së gazit të lëngshëm, tregtarët e fruta perimeve, të produkteve të parapaketura, si dhe tregtarët e shitjes me shumicë, vjedhin qytetarin, duke i shitur mallin poshtë peshës që reklamohet nga vetë ata. Sigurisht që, jo të gjithë tregtarët vjedhin, por mes tregtarëve që u përkasin aktiviteteve të përmendura më sipër gjen pa asnjë mëdyshje tregtarë që vjedhin qytetarin. Kjo do të thotë se konsumatori duhet të tregohet i kujdesshëm edhe kur blen mish, edhe kur blen perime, edhe kur furnizon makinën me karburant, edhe kur blen oriz apo makarona, edhe kur blen bukë, edhe kur blen me pakicë, edhe kur blen me shumicë. Dhe jo vetëm kaq, qytetari duhet të jetë i kujdesshëm edhe kur udhëton me një taksi dhe taksisti ka në përdorim një taksimetër të pacertifikuar. Në çdo rast tregtarët vjedhës janë aty, ata manipulojnë me gurët e peshës, llojin (mjetin) e matjes, me etiketat që vendosin mbi produkt, por edhe me mosvendosjen e tyre sipër mallit që tregtojnë. Në çdo kohë ka pasur shqetësime të tilla të shfaqura nga ana e qytetarëve, por së fundi ky denoncim ka ardhur vetë Drejtoria rajonale e Metrologjisë në Korçë, e cila bëri të ditur se tregtarë që abuzojnë me peshën, volumin apo masën e mallit janë konstatuar në të gjitha llojet e aktiviteteve. Vetëm vendosja e gjobave do të “riedukonte” tregtarët, të cilët duan të përfitojnë edhe përmes vjedhjeve të tilla, madje duke vjedhur klientin e tyre. Sipas burimeve pranë Drejtorisë rajonale të Metrologjisë në Korçë, nga kontrollet e ushtruara gjatë këtij viti, të cilat kanë qenë të kombinuara edhe me kontrolle të befasishme, kanë nxjerrë në pah se nga ana e tregtarëve manipulohet me peshën, masën dhe volumin e produktit. Për këtë arsye, nga ana e kësaj drejtorie, për gjithë tregtarët që abuzojnë me sasinë e mallit u janë vendosur gjoba, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë. “Të njëjtin fat do të kenë edhe ata tregtarë që do të kapen me abuzime të këtij lloji”, theksuan burimet në fjalë. Megjithatë, deri më tani kontrollet kanë qenë të drejtuara veçanërisht ndaj aktiviteteve të tilla, siç janë: shitja e karburanteve, shitja e gazit të lëngshëm, etj, ku edhe në këto subjekte janë konstatuar abuzime, çka do të thotë se mjaft tregtarë janë të prirur të vjedhin në gjithçka munden. Sipas burimeve në fjalë, askush nuk do të mund t’i shpëtojë gjobës, madje kjo praktikë do të ndiqet deri sa të ndëshkohet edhe abuzuesi i fundit, por në të njëjtën kohë, drejtuesit e Drejtorisë rajonale të Metrologjisë kanë kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve, ku secili prej tyre mund të sjellë në këtë drejtori atë që ka vërejtur. Vetëm ky bashkëpunim do t’u jepte fund të gjitha abuzimeve. Duket qartë se manipulatorët me peshën shtrihen në të gjitha aktivitetet tregtare. Burimet e cituara më sipër, bënë të ditur gjithashtu se tashmë kontrollet do të vijojnë edhe te furrat e bukës, edhe te fruta perimet, edhe te shitja me shumicë, edhe te produktet e parapaketuara. Jashtë këtij kontrolli nuk do të mbeten as taksistët, të cilët duhet të kenë në përdorim vetëm taksimetra të certifikuar nga kjo drejtori. Burimet pranë Drejtorisë rajonale të Metrologjisë pohuan se ka mjaft sinjalizime nga vetë qytetarët, ku këta të fundit rast pas rasti konstatojnë mangësi në sasi, volum, në peshë apo në masën e mallit që kanë blerë. Edhe vetë kontrollet e ushtruara deri më tani kanë evidentuar faktin se edhe te buka edhe te fruta perimet edhe te mallrat e parapaketura, gjen mangësi në peshë. Jo vetëm kaq, theksuan burimet, edhe te shitja me shumicë janë gjetur produkte që nuk kanë etiketa që të tregojnë peshë, ose edhe kur e kanë etiketën, kjo e fundit nuk shpreh realitetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›