E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurimet publike, nga 1 janari vetëm në mënyrë elektronike

 

Duke filluar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, prokurimet publike do të kryhen vetëm në mënyrë elektronike. Prokurimi elektronik pritet t'i japë fund një herë e mirë korrupsionit në prokurimet publike. Përveç kësaj, me prokurimin elektronik kursehet 30-40 për qind më shumë se sa nga prokurimi i hapur. Kështu është shprehur dje kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë ceremonisë së hapjes së projektit të trajnimit "Prokurimi publik me mjete elektronike", i cili u organizua nga Instituti i Trajnimit të Administratës Publike. "Nga 1 janari 2009, Agjencia e Prokurimeve Publike ka marrë urdhër të prerë që të mos publikojë asnjë tender, përveç se në formë elektronike. Me këtë, ne bëjmë jo vetëm një hap shumë të madh drejt një niveli të ri transparence, por edhe drejt një niveli të ri në lirinë e tregut, sepse i japim mundësi konkurrencës së ndershme e të lirë dhe parandalojmë ndikimin e pandershëm në rregullat e lojës së burokracisë zyrtare", u shpreh dje Kryeministri Berisha. Madje, sipas tij, "është faktuar që nga prokurimi elektronik kursehet 30-40 për qind më shumë se sa nga prokurimi i hapur". Kreu i qeverisë theksoi se prokurimi elektronik do të shërbejë për të luftuar korrupsionin në prokurimet publike. "Kjo i jep përgjigjen më të mirë klientelës, pasi e zhduk atë. Ne po procedojmë me një reformë të thellë në prokurimet publike, në taksat dhe tatime, në regjistrimin e biznesit, licencat dhe lejet. Pra, me procedura dhe reforma, ne po luftojmë korrupsionin aty ku i ka shtretërit më të mëdhenj", tha ai. Ndërkohë, Agjencia e Prokurimeve Publike do të shqyrtojë listën e dokumenteve dhe do të kërkojë vetëm dokumentet kryesore në procedurat për tenderët. Sipas kreut të qeverisë, dokumentet e tjera Agjencia e Prokurimeve duhet t'i marrë nga agjencitë e tjera dhe nuk duhet të jenë kërkesë ndaj atij që merr pjesë në tender. Aktualisht ekziston regjistri i penaliteteve, ndaj dhe mund të arrihet reduktimi i kërkesave ndaj ofertuesve, gjë që ka një kosto më të ulët.

Botimi në buletine

Gati 40 për qind e prokurimeve publike nuk botoheshin në buletinet zyrtare. Gjatë takimit të djeshëm, Kryeministri Berisha deklaroi se gjatë viteve 2003-2004, gati 40 për qind e prokurimeve publike nuk botoheshin në buletine. Në një situatë të tillë kreu i qeverisë kërkoi që ato të jenë objekt i një hetimi të hollësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›