E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroi i EULEX takim me kryeprokurorin serb të krimeve

Prishtinë -Kryeprokurori i misionit evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, Teo Jakobson pritet që të enjten të takojë në Beograd prokurorin për krime të luftës të Serbisë, Vladimir Vukçeviç. Gjatë takimit pritet të diskutohet mbi bashkëpunimin e dy prokurorive në zbulimin, arrestimin dhe gjykimin e personave të dyshuar për krime të luftës dhe vepra tjera kriminale, e që gjenden në Kosovë.

Gjithashtu thuhet se temë diskutimi do të jetë edhe shkëmbimi i informacioneve dhe provave që posedojnë të dy këto organe gjyqësore.

Siç njofton korrespondenti i BBC-së në Beograd, besohet se të dy bashkëbiseduesit do të diskutojnë për mundësinë e ekstradimit në Serbi të tre pjesëtarëve të "Grupit të Gjilanit" të ish-UÇK dhe të UÇPMB-së, të cilët sipas Prokurorisë serbe gjenden në territorin e Kosovës.

Nëntë pjesëtarë te tjerë të këtij grupi janë arrestuar më 26 dhjetor të vitit të kaluar në Preshevë për shkak, siç thuhet, të krimeve të luftës të kryera në territorin e komunës së Gjilanit nga qershori deri në tetor të vitit 1999, ndaj civilëve serbe.

Tema tjetër, shumë aktuale për organet serbe të hetuesisë, do të jetë "ekzistimi i varrezave masive të serbëve të rrëmbyer në territorin e Shqipërisë dhe tregtimi me organet njerëzore".

Prokuroria serbe për krime të luftës ka njoftuar këto ditë për, siç thotë, zbulime të provave të reja për këto krime, duke siguruar fotografitë e të dyshuarve për tregtimin e organeve njerëzore dhe shtojnë se në kuadër të hetimeve të këtij rasti deri më tash janë identifikuar tetë të dyshuar, ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Prokuroria serbe, siç ka deklaruar zëdhënësi Bruno Vekariq u ka dërguar një shkresë zyrtare institucioneve kompetente të Shqipërisë me të cilën i ka njoftuar se "në procesin e hetimeve janë gjetur prova të reja".

Takimi i Jakobsonit me Vukcevic, ne Beograd, është i pari i një organi të EULEX-it me zyrtarët e gjyqësisë serbe dhe po bëhet me kërkesë të prokurorisë për krime të luftës të Serbisë. /BBC/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›