E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria 1 mijë faqe me dokumente për imunitetin e Mediut

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar dje dokumente shtesë lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Burime zyrtare nga akuza bëjnë të ditur se dorëzimi i dokumenteve është bërë pas kërkesës së Komisionit të Mandateve, kryesuar nga Topalli dhe këto materiale gjenden tashmë në tryezën e saj. Rreth 1 mijë fletë me urdhra të Shtabit të Ushtrisë dhe dokumente të tjera janë dorëzuar dje në Kuvend. Kështu mësohet se në materialet shtesë përfshihen 4 volume me dokumente për Mediun, për të cilin Prokuroria pretendon se ka shkelur një sërë ligjesh me fabrikën e demontimit në Gërdec. Në dokumetacionin e dorëzuar, Prokuroria ka këmbëngulur se do të ketë ndjekje penale për disa persona dhe vendimmarrja do të jetë në pavarësi të plotë, duke premtuar kështu paanshmëri në vendimin që do të merret. “Do të hetohet çdo person i përfshirë në këtë ngjarje”, - thanë burimet. Burimet pohojnë se dokumentet kanë lidhje me hetimin e tragjedisë së Gërdecit, ndodhur më 15 mars, si pasojë e së cilës humbën jetën 26 persona dhe mbetën të plagosur 300 të tjerë.
Dokumentet
Dorëzimi i dokumenteve shtesë nga ana e Prokurorisë në Komisionin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve ka ardhur si pasojë e kërkesës së këtij komisioni për dokumente shtesë në mbledhjen e mëparshme. Rreth 1 mijë fletë të cilat janë pjesë dhe e dosjes së hetimit, janë dorëzuar dje në Kuvend pas kërkesës së kryeparlamentares. Jozefina Topalli, me ndihmën edhe të deputetëve të mazhorancës, ka kërkuar për të dytën herë materiale shtesë nga organi i akuzës dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Rreth 10 ditë më parë, pasi ka dëgjuar për gati dy orë raportimin e ish-ministrit të Mbrojtjes në lidhje me këtë ngjarje, kryeparlamentarja Topalli kërkoi dokumente shtesë për heqjen e imunitetit. Madje, duke vlerësuar mbrojtjen që Mediu bëri para Këshillit, Topalli nuk ka ngurruar nga ana tjetër të akuzojë kryeprokuroren Ina Rama se në korrespondencën që ka zhvilluar me Kuvendin, ka fshehur disa dokumente për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Prokuroria
Në përgjigje të kërkesës të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pranë Kuvendit të Shqipërisë për dokumente shtesë me synimin për të mos u bërë pengesë për një vendimmarrje sa më të drejtë të Kuvendit. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i dërgoi sot këtij këshilli katër volume me dokumente në lidhje me lejimin për procedimin penal ndaj deputetit Fatmir Mediu, bashkë me shkresën përcjellëse me sqarimet përkatëse. Në një njoftim për shtyp organi qendror i akuzës bën të ditur se në këto volume përfshihen dokumentet që Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ia kishte vënë në dispozicion më parë këtij këshilli, dhe të cilat u ridërguan sipas kërkesës së tij, duke shtuar edhe pjesën tjetër të dokumenteve që kërkoheshin, në të cilat përfshihen edhe disa dokumente të sekuestruara në vazhdim të hetimeve dhe pas paraqitjes së kërkesës së Prokurorisë në Kuvend. Ndërkohë Prokuroria po vazhdon hetimet dhe po ushtron ndjekje penale ndaj disa personave, civilë dhe ushtarakë, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 mars në Gërdec dhe siguron se është e vendosur, që në pavarësi të plotë në vendimmarrjen e saj, të vërë përpara përgjegjësisë çdo person të përfshirë në këtë proces, që ka kryer vepër penale.
Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›