Evitohet shpërthimi, bombë dyqanit të shpendëve të egra
Policia e Patosit ka mundur të shmangë shpërthimin e një bombe të vendosur në një dyqan të qytetit, ndërkohë që tashmë kanë filluar hetimet për identifikimin e autorëve. Gjithçka ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur rreth orës 07:30, roja i dyqanit të shpendëve të egra në pronësi të Agim Nakos, ka lajmëruar se në afërsi të qepenit të dyqanit, vetëm 20 centimetra larg tij, ishte vendosur bombë dhe një sasi tjetër lënde shpërthyese. Agim Nako dhe të afërm të tij kanë lajmëruar postën e policisë Patos, e cila menjëherë lajmëron komisariatin e Fierit. Dyqani ndodhej në rrugën kryesore të qytetit të Patosit, në afërsi të stacionit të autobusëve, në katin e parë të një pallati pesëkatësh. Policia ka larguar tregtarët fqinjë me këtë dyqan, ndërkohë që nuk ka lejuar që banorë të pallatit t’i afroheshin vendit të ngjarjes. Po ashtu policia ka bllokuar edhe qarkullimin rrugor në bulevardin kryesor të qytetit. Ndërkohë, kreu i Postës së Policisë Patos, Gerond Konda, ka shkëputur me kujdes bombën dhe e ka hedhur atë në një fushë shumë pranë vendit të ngjarjes ku më pas ka shpërthyer. Burimet zyrtare të policisë tregojnë se në vendin e ngjarjes është gjetur jo vetëm bomba, por edhe një tubo plastike me të cilën ishte lidhur fitili i bombës dhe qepeni, si dhe një sasi e vogël lënde plasëse. Para marrjes së bombës ekspertët e policisë kanë siguruar gjurmë gishtash në vendin e ngjarjes, si dhe mbetje të tubos plastike. Policia deklaron se vendosja e bombës është kryer gjatë orëve të natës. Pas marrjes në pyetje të pronarit Agim Nako, policia hedh si pistë dyshimi konkurrencën. Burimet zyrtare të policisë tregojnë se janë marrë në pyetje disa persona, banorë të qytetit të Patosit, por ende nuk ka një autor për këtë ngjarje.