E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret, arrestohen piromanët e Orikumit dhe Semanit



Policia paralajmëron masa të ashpra për autorët

Paditen edhe punonjësit e Pyjores për neglizhim

Nuk ia kanë hedhur dot pa lagur, edhe pse kanë pretenduar të kundërtën, për policinë nuk ka pasur pikë dyshimi se kishte të bënte me personat përgjegjës për rënien e zjarreve në Jug të vendit dy ditë më parë. Katër persona, të cilët tashmë rrezikojnë deri në dhjetë vjet burg, janë arrestuar nga policia e Vlorës dhe ajo e Fierit gjatë orëve të vona të së hënës me akuzën e “shkatërrimin e pronës me zjarr”.

Ndërkohë që janë dërguar materialet për ndjekje penale në gjendje të lirë në ngarkim të punonjësve të Shërbimit Pyjorë të Drejtorisë Pyjore Mallakastër për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi këta punonjës, megjithëse ishin njoftuar për zjarrin në fjalë, kanë shkuar dy orë me vonesë në vendin e ngjarjes, duke neglizhuar maksimalisht kryerjen e detyrës nga ana e tyre.

Gjithçka është konfirmuar një ditë më parë nga Policia e Shtetit, sipas të cilës, Qerim Çeloaliaj, 72 vjeç, nga Dukati, është arrestuar pasi rreth orës 10:00 të së hënës, në vendin e quajtur “Qafa e Derrit”, Fushë-Dukat, ka djegur kashtën në një parcelë të tijën. Zjarri mori përmasa të mëdha, duke djegur më pas pjesërisht fabrikën e ujit “Dukat”, dy banesa si dhe ullinj e pemë frutore. Gjithashtu, policia e qytetit bregdetar ka ndaluar edhe Jorgo Gjikokën, 70 vjeç, nga Vlora, pasi rreth orës 08:45 të së hënës, në vendin e quajtur “Qafa e Luarit” Orikum, ka djegur disa ferra e mbeturina dhe më pas zjarri u përhap me shpejtësi, duke djegur një sipërfaqe të madhe me ullinj si dhe një stallë bagëtish.

Ndërkohë, policia e Fierit ka ndaluar Fiqiret Murrizin, 48 vjeç, nga fshati Shëneprente, Lushnjë, pasi i ka vënë zjarrin një ngastre me barishte dhe ferra në këtë fshat, ku pasi zjarri ka dalë jashtë kontrollit, është djegur një sipërfaqe toke me 35 rrënjë ullinj, si dhe janë rrezikuar disa shtëpi. Në pranga është vënë edhe Dine Abazaj, 58 vjeç, nga fshati Rriban, Mallakastër, pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë në orën 14:00 në vendin e quajtur Abazaj, duke djegur një sipërfaqe me pisha rreth 12 mijë metra katrorë.

Dje

Vatra të reja zjarresh në vend

Mbi 2 hektarë të mbjella me grurë në fshatin Drithas të rrethit të Korçës, janë djegur një ditë më parë si shkak të një shkëndije të autokombajnës teksa po punonte në fushën me grurë. Ka mjaftuar vetëm ajo shkëndijë që në pak minuta e gjithë fusha të përpihej nga flakët. Bashkë me të është djegur dhe autokombajna. Fatmirësisht ka mundur të shpëtojë vetë kombajneri dhe banorët përreth autokombajnës. Tri ditë më parë në po këtë fshat u dogjën rreth 10 ha sipërfaqe të mbjella me grurë. Ndërkohë që në Gjirokastër,

një vatër e re zjarri është shfaqur në zonën e Gjirokastrës. Zjarri ka rënë mbi fshatin Grapsht në zonën e Dropullit. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe kullosore, ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikës të mbështetur nga policia dhe banorë të zonës, të cilët po punojnë në shuarjen e flakëve. Mendohet që zjarri të jetë aksidental dhe nuk flitet për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas burimeve, zjarri nuk rrezikon shtëpi dhe është larg zonës së banuar.

Nga Italia

Avion “Canadair”, për të shuar zjarret në vend

Departamenti i Mbrojtjes Civile i Këshillit të Ministrave të vendit fqinj i ka dhënë “ok” dërgimit të avionit “Canadair” për shuarjen e zjarreve në Shqipëri. Një gjë e tillë bëhet për të përballuar situatën emergjente të zjarrit që u përhap të hënën nëpër pyjet e shumta në juglindje të vendit, në mënyrë të veçantë në rajonet e Vlorës, Fierit. Autoritetet shqiptare i kishin kërkuar ndihmë Italisë për të përballuar këtë situatë emergjente. Si përgjigje, avioni “Canadair CL415”, në gjendje për të lëshuar 6.000 litra ujë në çdo kënd, është nisur nga Italia së bashku me dy skuadra për të siguruar funksionimin e avionit. Ky i fundit ka mbërritur në aeroportin e Tiranës, ndërkohë që dje kreu i Emergjencave Civile konfirmoi se avioni italian ka filluar fluturimet në grykëderdhjen e Semanit.

Alfred Olli

Situata e zjarreve në vend, nën kontroll

Situata e krijuar dy ditë më parë në disa qarqe të vendit si rrjedhojë e rënies së zjarreve ka qenë vërtet problematike, por strukturat vendore i janë përgjigjur me masa të menjëhershme. Alfred Olli, kreu i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, ka dhënë dje për mediat një tablo të qartë për situatën më të fundit të zjarreve në vend. Kështu, sipas Ollit, zjarri në Vlorë është shuar ndërsa po punohet për shuarjen e zjarrit në grykëderdhjen e Semanit, në Komunën e Ndërmenasit, ku akoma ka disa vatra zjarri aktive. Më pas, Olli ka shpjeguar se gjatë së hënës është operuar me forcat e shërbimit zjarrfikës, me forcat e Policisë së Shtetit, si dhe me forcat e shtabit të përgjithshëm në Qarkun e Vlorës në Bashkinë e Orikumit. “Zjarret gjatë ditës së djeshme kanë qenë në zona që shërbimi zjarrfikës mund të operonte. Nuk kanë qenë zjarre në zona malore. Ndërsa pasditen e djeshme në zonën e Orikumit kemi ndërhyrë me dy helikopterë të ardhur nga Greqia, me të cilët kemi nënshkruar një marrëveshje bilaterale. Ndërsa sot (dje) në grykëderdhjen e Semanit po operon një avion italian, i cili ka kryer 8 fluturime operative deri tani në zonë. Shërbimi zjarrfikës dje pasdite në Komunën e Ndërmenasit dhe në Bashkinë e Orikumit ka qenë shumë i përqendruar. Duhet thënë që vetëm në zonën e Semanit dje është operuar me 15 makina zjarrfikëse”, - është shprehur ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›