Burgjet, 31 milionë lekë për të sëmurët shëndetësorë dhe mendorë
Bashkëpunim mes burgjeve dhe OBSH-së, për depistimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve për turbekulozin
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri dje publike të gjitha të dhënat mbi fondet e akorduara për të sëmurët në burgjet shqiptare, ndarjen e tyre, numrin e të sëmurëve normalë dhe atyre mendorë në këto burgje, si dhe mbështetjen që qeveria u ka dhënë këtyre institucioneve të vuajtjes së dënimit në ndihmë të kësaj kategorie me liri të privuar, por edhe në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe mendore. Sipas një materiali zyrtar të vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, bëhet e ditur se ky institucion i ka dhënë një rëndësi mjaft të veçantë kujdesit shëndetësor të personave me liri të kufizuar. Duke u bazuar në rekomandimet e dhëna nga organizata të ndryshme, të cilat operojnë në këtë fushë, janë bërë përpjekje të konsiderueshme për përmirësimin e kushteve të jetës së komunitetit me liri të privuar. Për këtë, është bërë një strukturim i ri i stafit shëndetësor në burgje dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor. Po sipas të njëjtave burimeve zyrtare, mesatarisht një institucion penal ka në strukturën e tij 1 mjek të përgjithshëm, një stomatolog, një farmacist dhe katër infermierë. Kjo organikë ndryshon në varësi të kapacitetit të burgjeve. Të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit janë të pajisur me kartela mjekësore dhe stomatologjike, shtojnë burimet, si dhe është realizuar unifikimi i dokumentacionit shëndetësor në të gjithë sistemin e burgjeve dhe paraburgimeve. Çdo personi me liri të kufizuar i ofrohet asistencë mjekësore e specializuar në vendin e vuajtjes së dënimit, ku çdo javë, përveç stafit ekzistues u dërgohen ekipe mjekësh të fushave të ndryshme. Çdo të dënuari dhe të paraburgosuri i është ofruar trajtimi medikamentoz i të gjitha kostove, ndërkohë që vijojnë burimet, janë blerë medikamentet e urgjencës për të gjithë sistemin e burgjeve në fushën e kardiologjisë, endokrinologjisë, psikiatrisë dhe urgjencave kirurgjikale.
Transparenca e fondeve
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën transparente të gjitha fondet e vëna në dispozicion për këtë kategori krejtësisht të veçantë, pasi janë të sëmurë me liri të kufizuar. Sipas burimeve zyrtare, krahasuar me vitin 2007, ku ishin akorduar 11 milionë lekë për medikamente, për vitin 2008 për sistemin e burgjeve shihet një rritje e ndjeshme në fonde, pasi është akorduar një fond prej 18.5 milionë lekësh. Për materiale stomatologjike për vitin 2007 u akorduan 1 milion lekë (të reja), ndërsa për 2008, 2.5 milionë lekë. Për aparaturat mjekësore në 2007 u akorduan 4.5 milionë lekë, ndërsa për vitin 2008, 9 milionë lekë. Aktualisht në sistemin e burgjeve numërohen rreth 675 persona të evidentuar me probleme shëndetësore, nga të cilët 384 persona janë të sëmurë kronikë; pjesa më e madhe rreth 225 janë me probleme kardiake, 41 persona janë me diabet, 19 persona janë të sëmurë rëndë dhe pjesa tjetër me sëmundje të ndryshme si Pulmonare, Reumatizmale, si dhe të traktit urinar. Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme të dënuarish janë persona me probleme të shëndetit mendor, të cilët numërohen 291 të dënuar, nga këta 74 persona janë me mjekim të detyruar. Në proces tenderimi, sipas burimeve, janë aparaturat mjekësore ku do të realizohet një repart reanimacioni në spitalin e burgut, gjë e cila do të përmirësojnë ndjeshëm shërbimin shëndetësor, si në cilësi dhe në kohë. Për herë të parë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po realizon depistimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në bashkëpunim me OBSH për turbekulozin. Ky depistim ka filluar për herë të parë në burgun e Lezhës, ku janë depistuar 400 veta në bashkëpunim dhe me dispanseritë e rrethit të Lezhës. Është planifikuar që ky depistim të realizohet për 4000 persona, gjithmonë duke respektuar vullnetin e lirë të personit. Ndërkohë që për të përmirësuar nivelin e shërbimit shëndetësor, janë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me institucione mjekësore në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, si autoriteti shëndetësor rajonal që konsiston në asistencë mjekësore gjinekologjike në paraburgimin “Jordan Misja” dhe burgun “Ali Demi” në regjimin e grave, Drejtorinë e Shëndetit Publik Krujë, ku ofrohet ndihma e mjekut psikiatër, me Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, i cili ofron trajtime specifike shëndetësore.
Detaje
18.5 milionë lekë fonde janë akorduar për medikamente për vitin 2008
2.5 milionë lekë fonde janë akorduar për materiale stomatologjike
9 milionë lekë fonde janë akorduar për aparaturat mjekësore
675 të sëmurë janë evidentuar me probleme shëndetësore
291 të dënuar janë evidentuar me probleme mendore