E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllezërit Rexhaj-gjykatës: Drejtësi, ose dënim me vdekje



Avokatët hedhin dyshime mbi kufomën e gjetur: Nuk është Behar Kastrati

Të pandehurit: Jemi gati të ndihmojmë familjen Kastrati për gjetjen e autorit

“Jemi të pafajshëm, nuk e vramë ne mjekun Behar Kastrati. Drejtësi ose vdekje”. Kjo ka qenë kërkesa e fundit që i kanë bërë dje vëllezërit Rexhaj togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, gjatë seancës ku ata dhe avokatët e tyre do të thoshin fjalën e fundit para dhënies së verdiktit të gjykatës. Por, para se ky vendim të jepet, mbrojtja ka lexuar dhe argumentuar konkluzionet përfundimtare, ndërsa të pandehurit i janë drejtuar për të fundit herë kësaj gjykate. Seanca zgjati 2 orë, gjatë të cilave avokatët e të pandehurve i kanë bërë me dije gjykatës se klientët e tyre nuk duhet të akuzoheshin për këtë vepër penale, por për “vrasje me paramendim” sipas përpilimit të fabulës së bërë nga ana e mbrojtjes. Sipas avokatëve, dënim i klientëve të tyre do të sillte tre vdekje të tjera, pasi ata ishin të pafajshëm. Ndërsa, më poshtë në pretendimet e tyre, kanë sqaruar se personi që është gjetur i vdekur në këmbëzën e urëz së lumit Drin, nuk mund të jetë mjeku Behar Kastrati, pasi ai është identifikuar vetëm nga ana e dentistit të tij, i cili i kishte mjekuar mjekut Kastrati pak kohë më parë dhëmballët, ndërkohë që nuk i ishte bërë ekspertiza e ADN-së. Duke hedhur dyshime në fund të procesit gjyqësor mbi kufomën e gjetur nën urë, mbrojtja ka sqaruar se “personi tashmë i gjetur i vdekur mund të mos jetë mjeku Behar Kastrati”.

Deklarimet e të pandehurve

Pas dëgjimit të avokatëve mbrojtës, vetë vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexhaj kanë bërë deklarimet e tyre para gjykatës, të cilët kanë kërkuar drejtësi ose dënim me vdekje. “Sot në përfundimin e gjykimit jam i detyruar të kërkoj drejtësi ose vdekje. Drejtësi, pasi nuk jam vrasës, nuk jemi ne vrasësit e mjekut Behar Kastrati. Vëllai ynë ka hyrë në spitalin e Krumës i vdekur dhe i vdekur ka dalë. Atë e ka ndihmuar mjeku kardiolog, Kastriot Ngeci. Dhe ne nuk kemi pasur asnjë konflikt me mjekun Kastrati apo me të afërmit e tij. Në të kundërt, më jepni dënimin me vdekje. Në rast se e kam vrarë unë mjekun Kastrati, të më vrisni mua dhe të më sillni djalin tim të vetëm dhe të ma vrisni para syve”, - ka deklaruar me zë të dridhur i pandehuri Qamil Rexhaj. Në përfundim të deklarimeve të Qamil Rexhajt, kryetarja e trupit gjykues, Flora Hajredinaj, i ka dhënë fjalën të pandehurit tjetër, Abedin Rexhajt. Përpara gjykatës ai ka sqaruar se ishte i pafajshëm, duke shtuar se nuk ishte ai vrasësi i mjekut Behar Kastrati. Sipas tij, akuza e ngritur nga ana e prokurorisë ka qenë e pabazë. “Familja e mjekut Behar Kastrati të gjykojë me gjakftohtësi dhe t’i tregojë akuzës nëse ka ndonjë dyshim, dhe me ndihmën tonë të gjendet autori i vërtetë”, - ka deklaruar dje i pandehuri Abedin Rexhaj, për të cilin u kërkua masa ekstreme “burgim i përjetshëm”. Nga ana tjetër, dy vëllezërit i kanë bërë me dije familjarëve të tyre të mos kenë trup, pasi ata ishin të pafajshëm dhe të mos ulnin kokën kur kalonin rrugës. Ndërsa gjykatës, dy të pandehurit i kanë kërkuar për herë të fundit drejtësi nga ana e saj. Pas dëgjimit të dy vëllezërve Rexhaj, ish-i penduari i këtij procesi, Ibrahim Geca, i ka kërkuar gjykatës pafajësinë e tij, duke hedhur poshtë faktin që të ketë pasur dijeni në lidhje me vrasjen e mjekut Behar Kastrati. “Kam treguar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Nuk di asnjë gjë për këtë ngjarje, pasi po të kisha pasur dijeni do të kisha bërë çmos për ta parandaluar. Por, kam qenë nën terror dhe jam poshtëruar deri sa më kanë parë fëmijët e mi të gjakosur. Nuk e njihja doktor Kastratin, as për fytyrë. Për hir të fëmijëve të mi kam thënë çfarë kanë dashur ata. Më ka shkelur me këmbë inspektori Toni Kushi”, - ka përfunduar deklarimet e tij i pandehuri Ibrahim Geca. Pas dëgjimit të tre të pandehurve, trupi gjykues e ka shtyrë procesin gjyqësor për në datën 22 korrik, ku edhe pritet të shpallë vendimin e saj përfundimtar.

Ngjarja

Tre të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë vrarë mjekun dhe nënkryetarin e PD-së së Hasit, Behar Kastratin, katër ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut të vitit 2005. Sipas prokurorisë, vëllezërit Rexhaj janë hakmarrë mbi vdekjen e vëllait të tyre, Qani Rexhaj, pak kohë më parë në spitalin e Krumës, kur mjeku Behar Kastrati ishte mjek roje. Rrëmbimi i mjekut dhe njëkohësisht kreu i PD-së për Hasin, Behar Kastrati, ka ndodhur më datë 7 korrik 2005, në orët e vona të asaj nate. Zhdukja e tij para pallatit u denoncua nga vëllai i viktimës, ndërkohë që pas kërkimeve të shumta nga ana e policisë, pas 20 ditëve është gjetur në fshatin Kolsh trupi i pajetë i mjekut Kastrati. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u konstatua se kufoma ishte e lidhur me dy shtylla betoni nëpërmjet telave të shtyllës dhe një litari në qafë, trung dhe këmbë.

Somario

“Familja e mjekut Behar Kastrati të gjykojë me gjakftohtësi dhe t’i tregojë akuzës nëse ka ndonjë dyshim, dhe me ndihmën tonë të gjendet autori i vërtetë”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›