E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet vendore fushata paraprake transferohet ne Kuvend

Replikat PS dhe PD, debate për bashkitë e Tiranës dhe Durrësit. Përplasje për lejet e ndërtimit

Fushata elektorale për zgjedhjet vendore nis nga salla e Parlamentit. Dy forcat politike debatuan gjatë në Kuvend për çështje që janë nën kompetencën e pushtetit lokal, ndërkohë që më pak se pesë muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore. Ndërtimet për leje, akuzat personale për lidhje të deputetëve me kryetarët e bashkive, dhe thyerjen e ligjeve nga kryebashkiakët kanë qenë çështjet që kanë shkaktuar ilaritet mes deputetëve dhe ministrave në sallën e Parlamentit.

Debati për Bashkinë e Durrësit

Deputeti socialist, Blendi Klosi, hodhi akuza për procesin e legalizimit ndaj Kryeministrit Sali Berisha dhe Shaban Memisë. Në përgjigje të këtyre akuzave, ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi tha se “zgjidhja për popullatën nuk është shpërngulja, por legalizimi i saj. Ti nuk po mbron kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por kryetarin e Bashkisë së Durrësit”. Deklaratave të ministrit të kabinetit “Berisha”, deputeti Blendi Klosi i është përgjigjur duke thënë se “Vangjel Dako nuk ka asnjë kompani që hedh beton. Ju zoti ministër keni gjithë forcën e shtetit për të bllokuar të gjitha kompanitë e paligjshme, por s’keni asnjë të drejtë për të shpifur”. Replikat mes deputetit Klosi dhe ministrit Olldashi vazhduan edhe më tej, ku ky i fundit u tregua më i qartë dhe i prerë në akuzat ndaj socialistit Klosi. “Unë nuk thashë që deputetë të Partisë Socialiste kanë interesa financiare me Vangjel Dakon. Interesa financiare te betoni i Vangjel Dakos keni ju personalisht”, tha ministri Olldashi duke iu drejtuar deputetit Klosi. Debati u përshkallëzua edhe më tej, kur ministri Olldashi replikoi me deputetin e Shkodrës, Ilir Beqja. “Jeni deputet i ri dhe shumë shpejt do të ikni nga ky Parlament për arsye që ti i di”, tha Olldashi. Më datë 23 dhjetor, Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim raportin e Kuvendit për heqjen e mandatit të deputetit të Shkodrës, Ilir Beqja.

Debati për Bashkinë e Tiranës

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, akuzoi Bashkinë e Tiranës për moszbatimin e ligjit kundër duhanit. Shqetësimit të deputetit Erion Braçe për ligjin e akcizave, duke përmendur edhe ligjin kundër duhanit, mori përshkallëzime të tjera në sallën e Kuvendit. Gjatë debatit, deputeti Tritan Shehu tha se “Jemi ne të parët, deputetët që kemi thyer ligjin pasi pihet duhan pas mureve të kësaj salle. Bashkia e Tiranës ka penguar zbatimin e ligjit, pasi ajo ka qenë indiferente për të bllokuar pirjen e duhanit në ambientet publike”. Deputeti Shehu për thyerjen e ligjit ndaj duhanit ia vendosi fajin Bashkisë së Tiranës dhe policisë bashkiake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›