Beteja per pasardhesit. PD dhe PS diversion ne Parlament
Demokratët dhe socialistët çojnë në sallën e Kuvendit debatin mbi “kandidatët fatlumë” që do të trashëgojnë politikën e djathtë dhe të majtë. Beteja për pasardhësin shikohet nga dy forcat politike që nga intervali i rivalitetit dhe ambicies deri në infinitin ekstrem të diversionit politik që u përdor dje në tempullin e Parlamentit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte e para që u kërkoi socialistëve të ndryshojnë kryetarin. Duke iu referuar vendimit të prokurorisë për votat në Shkodër, Topalli tha se “i thoni kryetarit tuaj: Ja, vendimi i prokurorisë pikë pas pike, një më një. T’i kërkoni falje Shkodrës, t’u kërkoni falje shqiptarëve dhe ai t’ju kërkojë juve të falur për atë që ju bëri. Nuk ju la për 6 muaj rresht të hyni në Parlament, për 6 muaj rresht u përpoq me të gjitha mënyrat që ju të humbnit mandatet. Kjo ishte e vërteta. Përplasjani këto kryetarit tuaj”.
Ndonëse ka fituar betejën e saj përballë Nard Ndokës për kutitë në Shkodër, kryeparlamentarja Topalli duke mbajtur në dorë fletushkat e Prokurorisë së Shkodrës iu drejtua socialistëve se “E kemi mundur Edi Ramën edhe në Bruksel, edhe në Strasburg, edhe në Tiranë, edhe në të gjithë Shqipërinë. Kjo është kutia. Ikni! Kështu i thoni kryetarit tuaj, të ikë! i thoni, se kështu është shprehur: Nëse del ndryshe, unë iki dhe mbaj përgjegjësi”.
Pas një debati për ligjin e bonove të privatizimit, deputeti socialist, Blendi Klosi, ‘atakoi’ nga foltorja e Kuvendit ministrin e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, për postin e pasardhësit në Partinë Demokratike. “Zoti ministër, e ke shumë të vështirë luftën për pasardhës se ka shumë të tjerë përpara jush”, tha Klosi. Por nga ana tjetër, në përgjigjen e tij lidhur me çështjen e pasardhësit, ministri Olldashi zbuloi një tjetër sekret të korridoreve të Partisë Demokratike duke thënë se “pa marrë anëtarësimin në Bashkimin Europian, Berisha nuk ka ndërmend të lëvizë”. Edhe ministri Olldashi si Kryetarja e Kuvendit vazhdoi me atakun ndaj socialistëve duke bërë që diversioni politik të dominojë sallën e Parlamentit. “Sa për pasardhësin, mos u shqetësoni. Problemin e pasardhësit e keni ju”, tha Olldashi. Por debati nuk përfundoi me kaq, edhe deputeti Paloka kërkoi largimin e Ramës nga Partia Socialiste pas publikimit të vendimit të Prokurorisë së Shkodrës për kutitë e votimit. Fundi i seancës së djeshme, që mbante në rendin e ditës plot 19 çështje, riktheu sërish atakun e ndërsjellë politik. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, në fjalën e tij përdori edhe ironinë për të komentuar vendimin për hapjen e kutive në Shkodër. “Ju jeni tërhequr nga kutitë, sepse u njohët me vendimin e Shkodrës, që doli një muaj përpara. Kutitë u hapën, vizat nuk u mbyllën, ne nuk u larguam dhe nuk do të largohemi”, tha Patozi. Në fjalën e tij, kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, duke vazhduar të përdorë të njëjtën dozë ironie theksoi se nuk është dakord me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe deputetin Edi Paloka që thanë që të largohet Rama. “Edi Rama nuk duhet të largohet se nuk ka ku të shkojë më. Rama të qëndrojë aty ku është, sepse në një farë mënyre është edhe fati ynë”, tha Patozi.