Vendimet aleatet i japin votat PD-se
Mazhoranca arriti të marrë në Kuvend vetëm 71 vota pro miratimit të ligjeve që ndodheshin në rendin e ditës. Shumica parlamentare vendosi të shtyjë në seancën plenare tre vendime pa i votuar ato mes të cilëve ishte akti normativ për pensionet e ushtarakëve dhe projektligji për “miratimin e strukturës dhe organikës së Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike” dhe projektvendimin “Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”. Vendimi për shërbimin postar arriti të marrë vetëm 70 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa pjesa tjetër e deputetëve nuk mori pjesë në votim. Të gjitha vendimet e tjera u votuan nga mazhoranca me 71 vota pro. Ndërkohë që vlen të theksohet se oksigjeni i mazhorancës në sallën e Parlamentit ishin dy deputetët e PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Dhe tre aleatët e LSI-së, Ilir Meta, Nasip Naço dhe Vangjel Tavo. Kryeministri Berisha dhe një pjesë e deputetëve demokratë nuk ishin prezentë në momentin e votimit në Parlament, duke rrezikuar shumicën e mazhorancës.