E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaci Raporti me shpifje ndaj shqiptareve

Prishtinë Kryeministri i Kosovës, do të padisë Marty-n

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një konference për media, e ka quajtur shpifje raportin e raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, për akuzat që ka bërë ai ndaj UÇK-së dhe ndaj tij. “Këto janë shpifje dhe gënjeshtra. Ky raport është riciklim i propagandës 15-vjeçare të Beogradit. Raporti është njollosës për tërë shqiptarët në rajon. Pretendimet inkriminuese janë hetuar disa herë nga Haga, UNMIK-u dhe EULEX-i”, tha Thaçi.

Thaçi ka paralajmëruar se do t’i përdorë të gjitha rrugët legale dhe politike, për të paraqitur të vërtetën. “Të gjithë e dinë kush ishte agresori e kush viktima. Tendenca për të baraspeshuar viktimën me agresorin janë të pamundshme, të pandershme dhe të pamoralshme”, theksoi Thaçi. Kryeministri i Kosovës është duke planifikuar të hedhë në gjyq hetuesin zviceran të Këshillit të Europës, Dick Marty, raporti i të cilit e akuzon Thaçin se ka mbajtur të burgosur civilë, të cilët më pas janë vrarë për shitjen e veshkave të tyre, kur ai ishte në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një zyrtar qeveritar, i cili ka folur në kushte anonimiteti, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, i ka thënë AP-së se Kryeministri Thaçi tashmë ka kontaktuar avokatët për të ngritur një padi për shpifje kundër Dick Marty-t.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›