E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA Hetimet mbi akuzat jane mbyllur qe ne vitin 2004

Reagimi Uashingtoni dhe Brukseli mbështesin hetimet nga organet kompetente

Uashingtoni zyrtar ka deklaruar se thëniet e raportit të sajuar nga senatori zviceran, Dick Marty, në emër të Këshillit të Europës duhet të hetohen dhe t’u jepen autoriteteve kompetente.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip J. Crowley, tha se “nga hetimet që kanë bërë Kombet e Bashkuara dhe Gjykata në Hagë është vendosur të mos ndërmerret ndonjë veprim”, që mund të interpretohet se ato kanë rezultuar të paargumentuara ose të pabazuara. Ai nënvizoi se SHBA-ja megjithatë “inkurajon çfarëdo bashkëpunimi lidhur me hetimet për këtë çështje”. Zëdhënësi i qeverisë amerikane e quajti raportin ‘një projektraport’, ndërsa theksoi se “marrin seriozisht të gjitha deklaratat e besueshme për veprimtari kriminale. Çdo e dhënë dhe burimet që citohen në raport duhet t’u jepen autoriteteve kompetente që të bëjnë hetim të plotë dhe të duhur. Rendi dhe ligji janë qenësor për stabilitet dhe progres në Ballkan”, tha Crowley. Në pyetjen se a ka ndonjë të dhënë të pavarur SHBA-ja që do të konfirmonin këto akuza, zëdhënësi theksoi se deklaratat për krime lufte janë hetuar në mënyrë të suksesshme për shumë vjet nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi. “Si Kombet e Bashkuara ashtu edhe Gjykata e Krimeve kanë bërë hetime

lidhur me deklaratat për zinxhirin e tregtisë me organe qysh në vitin 2004. Ata kanë vendosur atëherë që nuk do të marrin ndonjë veprim. Ne inkurajojmë çfarëdo bashkëpunimi lidhur me hetimet për këtë çështje”, tha ndërmjet të tjerash Crowey. Edhe organizata Human Rights Watch me seli në Nju Jork u ka bërë dje thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Europës që të kërkojnë hetime të hollësishme dhe të paanshme në Kosovë e Shqipëri në lidhje me akuzat për krime.

BE

Bashkimi Europian nuk do të ndërmarrë asnjë masë që të pengojë formimin e qeverisë së re nga Hashim Thaçi edhe përkundër raportit të Dick Marty-t. “Formimi i qeverisë së re, bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe raporti i Këshillit të Europës janë dy procese të ndara dhe pavarësisht raportit të Dick Marty-t, kjo çështje nuk do t’i pengojë këto procese, shkruante dje gazeta “Blic”, duke cituar burime brenda zyrës së Catherine Ashton. “Çdo kush para se të dënohet është i pafajshëm. BE tani pret që së shpejti të përfundojë procesi zgjedhor në Kosovë, të hetohen të dyshuarit e përfshirë në korrupsion dhe të krijohet një qeveri e re me mandate europiane”, ka thënë zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijançiç.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›