E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria, gati dosjen për gjykim ndaj Ylli Kelmendit



Laureta Rryçi

TIRANË – Prokuroria sjell për gjykim në Gjykatën e Tiranës dosjen për Ylli Kelmendin. Burime pranë Gjykatës pohuan dje se tashmë dosja i është nënshtruar procesit të shortit duke iu caktuar për gjykim gjyqtarit të çështjeve penale, Ridvan Hado. Ylli Kelmendi pati rënë rreth tri muaj më parë në prangat e Policia së Tiranës. Uniformat blu e arrestuan atë për armëmbajtje pa leje, ndërsa ai gjendej në afërsi të ndërtesës së Kuvendit. Dëshmitari i vrasjes së Fatmir Ramës, i njohur me nofkën Miri i Xhikes, u arrestua pas një kontrolli rutinë të këtyre të fundit në rrugët e kryeqytetit.
Arrestimi
Ylli Kelmendi u arrestua në ditët e para të korrikut të këtij viti, para selisë së Kuvendit. Pas kontrollit fizik Kelmendit iu kap një armë zjarri pistoletë e tipit “TT”, me 7 fishekë në krehër. Sipas burimeve policore, i arrestuari rezulton një person me precedent penal. Ylli Kelmendi është një nga dëshmitarët në vrasjen e Fatmir Ramës te Kartodromi, në periferi të Tiranës, në vitin 2003, ku mbeti dhe vetë i plagosur. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Ylli Kelmendi i kaluan prokurorisë për konsumim të veprave penale të “kundërshtimit të punonjësit Policisë së Rendit Publik” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, parashikuar nga nenet 236/2 dhe 278/2 të Kodit Penal. Pas hetimeve, dosja për Kelmendin mban vetëm një akuzë, atë të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.
Arrestimet
Ylli Kelmendi njihet si dëshmitari kryesor i ngjarjes së 29 marsit të vitit 2003, kur Fatmir Rama u qëllua me armë në lokalin e tij “Kartodrom 2000” në Lundër, ku edhe ai ka mbetur i plagosur. Tashmë Kelmendi rikthehet sërish në qelitë e Komisariatit Nr. 1, në të cilat ka qëndruar edhe dy herë të tjera më parë. Arrestimi i tij i parë ndodhi më 22 qershor të vitit 2003, kur ai u akuzua për vrasjen e mbetur në tentativë të një personi. Sipas dëshmive, Kelmendi po ecte me një automjet në sheshin “Skënderbej”, i shoqëruar nga një femër, kur i kanë ndërprerë rrugën dy persona. Pas shkëmbimit të fjalëve me ta, Kelmendi nxori armën dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Nga plumbat e armës së Kelmendit mbeti i plagosur lehtë Mynir Cerri, ndërsa shpëtoi paq shoku i tij, Zenel Kaziu. Pas ngjarjes, policia e Komisariatit Nr. 1 e shpalli në kërkim Kelmendin, i cili u arrestua më pas. 44-vjeçari u akuzua për vrasje të mbetur në tentativë për motive të dobëta. Pas hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor të çështjes së tij, Kelmendi u dënua me 2 vite burg, ndonëse organi i akuzës kërkoi një masë dënimi më të rëndë. Disa muaj pas ngjarjes ai u la i lirë pasi kishte shlyer dënimin e dhënë nga gjykata e Tiranës ndaj tij edhe gjatë kohës që paraburgimit.

Itali, shpërndante drogë me fëmijët, arrestohet shqiptari 38–vjeçar

FIERNCE - Një shqiptar 38-vjeçar është arrestuar nga Policia italiane pasi u kap me 3.3 kg kokainë. Këtë sasi droge shqiptari me iniciale T. Y. e shpërndante i shoqëruar nga dy fëmijët e tij të vegjël, përkatësisht 10 dhe 8 vjeç. 38-vjeçari, i konsideruar si korrieri me shtetësi shqiptare, u kap nga Policia e Firences, në autostradën e gjatë A1 Milano-Napoli. Droga u gjet në makinën e tij “Audi A4” e ndarë në katër pako me kokainë. Shqiptari i arrestuar ishte banor i provincës së Novarës. Ai shiste drogë që ishte e destinuar për tregun qendër - jug të Italisë, por kryesisht për tregun e Toskanës. Droga e kapur ka vlerë 7 deri në 8 mijë euro. Ky është rasti më i fundit kur një shqiptar përfundon në pranga për trafik droge në Itali. Jo më larg se një ditë më parë, një operacion blic i Policisë së Barit sekuestroi 23 kg heroinë dhe arrestoi katër shqiptarë, tre nga Vlora e një nga Tirana. Shqiptarët ishin pjesë e një grupi ndërkombëtar të trafikut të drogës, e cila origjinën fillestare e kishte nga Turqia, por ndalesa e fundit para se të mbërrinte në Bari kishte qenë Porti shqiptar i Durrësit.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›