E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot pa drita, 5 qytete

Nuk kanë të ndalur kufizimet e dritave në vendin tonë, edhe pse premtohet një zgjidhje e çështjes sa më shpejt. Kësaj here mungesa e energjisë elektrike nuk lidhet me sasinë, por me rrjetin, i cili vazhdon të sjellë probleme nga amortizimi. Pas defektit që solli errësirën në katër qytete të Shqipërisë dy net më parë, OST deklaron një tjetër kufizim, për shkak të ndërhyrjes në rrjet. Ditën e sotme, nga ora 12:00-15:00, do të kryhen punime në linjën 220 kv Rrashbull-Tiranë, e për pasojë do të ndërpritet energjia elektrike në qytetet: Durrës, Kavajë, Vlorë, Lushnjë dhe Fier. Operatori i Sistemit të Transmetimit kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe biznesit, për shqetësimet që mund të krijohen gjatë tri orëve të punimeve. Linja 220 kv pësoi defekt për shkak të motit, duke lënë në errësirë të plotë disa qytete kryesore të vendit. Situata ka marrë zgjidhje vetëm për disa shërbime të tjera të rëndësishme, si komisariatet e policisë, antenat e telefonisë, Porti i Durrësit etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›