E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, dorëzohet qeveria

Për herë të parë qeveria ngre "duart lart" para zgjidhjes së çështjes së pronave. Në një kohë kur ndërkombëtarët e kushtëzojnë zgjidhjen e konfliktit me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, qeveria deklaron se e drejta e pronësisë nuk do të ketë zgjidhje as brenda tri vjetësh. Çështja e pazgjidhur e pronave nuk përbën shqetësim vetëm për shqiptarët, por edhe për ndërkombëtarët. Në jo pak raste ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian i kanë mëshuar fort faktit për një zgjidhje sa më të shpejtë të procesit të identifikimit të titujve të pronësisë. Në përgjigje të këtyre shqetësimeve vjen dhe lajmi se çështja e pronave nuk mund të zgjidhet as për një, dy apo tre vjet. "Situata paraqitet mjaft komplekse, e lidhur fort me sistemin e trashëguar, ku shumë faktorë janë të ndërlidhur mes njëri-tjetrit", është shprehur dje në formë pesimizmi zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo. I ulur pranë ambasadorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Helmut Lohan, zv/ministri i Ekonomisë nuk paraqiti ndonjë opsion të mundshëm zgjidhjeje, por mjaftoi me faktin se investimet e huaja, pavarësisht problemeve me pronën, kanë njohur rritje. Më i sinqertë është treguar Lohan: "Konflikti për pronat, jo vetëm që pengon investimet e huaja në Shqipëri, por rrezikon integrimin e vendit në BE". Këto qëndrime u paraqitën dje në seminarin "Të Drejtat e Pronësisë mbi Tokën: instrumentet dhe zgjidhjet e mundshme për reduktimin e kostove të transaksionit nga pikëpamja e investimeve të huaja direkte", organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me asistencën e Komisionit Evropian.

Shqetësimi

"Më duhet të them se fatkeqësisht zgjidhja e pronave nuk mund të bëhet brenda këtij viti dhe as brenda tri vjetësh, për shkaqe tepër komplekse". Deklarata e bërë nga zv/ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë nuk jep sinjale të mira për vendin, e cila kërkon të anëtarësohet në BE. Për komunitetin evropian të drejtat e pronësisë janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të një vendi. Ambasadori i KE-së, Lohan, e vlerësoi seminarin e djeshëm si domethënës dhe strategjik, "pasi të drejtat e pronësisë janë të rëndësishme për mirëqenien e një vendi dhe konkretisht të Shqipërisë, si dhe kanë ndikim mbi sferën e zhvillimit ekonomik". Jo pa qëllim Lohan mori si shembull sektorin e turizmit, zhvillimi i të cilit po vuan nga mungesa e identifikimit të titujve të pronësisë. "Turizmi, i cili është një nga sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, vazhdon të vuajë lidhur me pasigurinë e titujve të pronësisë. Potenciali i bregdetit shqiptar është identifikuar kohë më parë dhe ka tërhequr investitorë të huaj, megjithatë disa investime në bregdet mbeten të fragmentuara për shkak të problemeve me titujt e pronësisë", theksoi ambasadori Lohan. Mesazhi i kreut të delegacionit të KE-së, koincidon me problemet e shfaqura gjatë zbatimit të projektit të Bankës Botërore për zhvillimin e bregdetit të jugut. Lohan ka vijuar më tej duke thënë se shumë familje shqiptare janë përballur me problemin e pronësisë, ku kanë përfunduar edhe në raste dhune. "Zgjidhja e këtij problemi është thelbësore për zhvillimin e vendit, thithjen e investimeve direkte dhe sigurisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE", përfundoi ambasadori i KE-së. Apeli për zgjidhje sa më të shpejtë të "pronave" është bërë me kohë edhe nga ambasadorë të tjerë, që përfaqësojnë vende të fuqishme të Bashkimit Evropian. Ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë kanë nënvizuar faktin se problemi i të drejtës së pronësisë po pengon futjen e investimeve të huaja në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›