Referencat, kosto te biznesi që prej ’99-s
Që nga viti 1999, kur u miratua Kodi i Ri Doganor, çmimet e referencave mbi të cilat vilen tarifat doganore vazhdojnë të krijojnë kosto te biznesi. Aplikimi i çmimeve referuese për zhdoganimin e mallrave, duke anashkaluar vlerën e faturave të blerjes, pra çmimin real me të cilën bizneset kanë operuar në vendet e Bashkimit Europian apo gjetiu, ka vënë mjaft sipërmarrës para humbjeve të paparashikuara financiare. Biznesmenët me pakicë shprehen se, “ka raste kur një maune me mallra që kushtojnë p.sh., 30 mijë euro zhdoganohet për 35 mijë”. Biznesmenët dhe importuesit e mëdhenj kërkojnë nga administrata doganore që kur malli është i shoqëruar me fatura të rregullta të blerjes, këto të fundit të merren për bazë për zhdoganimin dhe jo çmimet e referencës. Në një studim të Qendrës për Tregti Ndërkombëtare “ACIT”, thuhet se, “në rastin e ekonomisë shqiptare, nëse do të supozonim një kosto në kufijtë 5-10 për qind të vlerës së mallrave, të shkaktuara prej procedurave joeficiente dhe të panevojshme doganore dhe masave të tjera penguese të tregtisë, bazuar në volumet aktuale të importeve, përfitimet potenciale do të luhateshin në 100-200 milionë USD”. Doganat bëjnë vlerësimin e tarifave me katër metoda. Por, sipas ACIT, më shumë përdoret ajo e çmimeve të referencave, me rreth 60 për qind të rasteve. Sipas një anketimi që qendra ka bërë në ndërmarrjet e biznesit, del se 73,6 për qind e subjekteve mendojnë se përdorimi i çmimeve të referencës shkakton kosto shtesë në veprimtarinë e biznesit. Kjo rritje në kosto vlerësohet të luhatet në intervalin 5-15 për qind. Për sa i përket lajmërimit me shkrim të personit në rast të mos aplikimit për vlerësim të çmimit të transaksionit, e cila parashikohet edhe nga kodi ynë doganor, shumica e përgjigjeve të bizneseve rreth 62 për qind janë përqendruar në anën negative, “domethënë në moslajmërim nga ana e administratës doganore”. Vlerësimi doganor përbën një ndër elementët me rëndësi kritike në veprimtarinë e biznesit dhe sigurimin e një konkurrence të barabartë për operatorët ekonomikë. Një vendim i papritur i doganave në fund të vitit që shkoi i ka çorientuar të gjithë tregtarët që sjellin mallra nga Turqia dhe Kina. Kur kanë ardhur në doganë, tregtarëve u është kërkuar të paguajnë dyfish.
Ligji, referencat vetëm kur malli nuk ka dokumentacion
Çmimet e referencave për përcaktimin e tarifës doganore duhet të përdoren vetëm në ato raste kur subjektet importuese nuk e kanë mallin e tyre të shoqëruar me dokumentacionin përkatës. Sipas specialistëve të doganave, “metodat e vlerësimit të mallrave nëpërmjet çmimeve të referencave përdoren vetëm në rastet kur konsumohen metoda të tjera të përcaktuara në Kodin Doganor”. Edhe pse doganat kryesore të vendit janë përshtatur me sistemin e ri të informatizimit, aplikimi i tarifave doganore apo referencave shpesh mbetet në dorë të doganierëve. Për të verifikuar këto abuzime mjafton që të kontrollosh çmimet e mallrave të ndryshme në regjistrat informatik të tregjeve ndërkombëtare, sidomos atyre të mallrave të fortë të cilët përditësohen në internet. Çmimet e këtyre mallrave janë të verifikueshme në bursat ndërkombëtare, dhe si të tilla ato freskohen çdo ditë në programin kompjuterik të doganave. Por administrata doganore në ushtrimin e veprimtarisë së saj, ka jo pak mosmarrëveshje në lidhje me marrëdhëniet me importuesit. Kjo edhe për shkak se shpeshherë mallrat që importohen nuk janë të shoqëruara me dokumentacionin përkatës, ose faturat e origjinës. Një gjë e tillë ndodh edhe me qëllim prej vet tregtarëve dhe importuesve ku faturat e mallit janë falsifikuar duke u ndryshuar me një vlerë shumë më të ulët nga vlera reale e mallit nga vendi i origjinës. Në këtë rast, punonjësit e doganës janë të detyruar të aplikojnë çmimet e referencës, edhe pse ata kohët e fundit, me këtë metodë po abuzojnë gjithnjë e më shumë. Çmimet e referencës në dy vitet e fundit kanë gjetur përdorim edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, përveç doganave. Administrata tatimore është institucioni i radhës që ka përcaktuar një listë të plotë të artikujve që tregtohen në vendin tonë bashkë me vlerën përkatëse, me qëllim evidentimin e saktë të faturave tatimore të shitblerjeve për efekt të vjeljes së tatimeve. Çmimet e referencës kanë hyrë këtë vit në fuqi edhe për transaksionet e pasurive të paluajtshme.
11 Prill 2008