E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria nuk gjen adresate tre fëmijëve të përdhunuar

07/10/2009  Pedofilët anglezë në gjykatë akuzohen edhe nga Braun, tashmë i dënuar

TIRANË – Procesi gjyqësor kundër dy të pandehurve me shtetësi angleze, Robin Arnold dhe Dino Kristodulu, vazhdon me pyetjen e dëshmitarëve. Pas përfundimit të dëshmisë së dhënë nga David Braun, tashmë i dënuar me 20 vjet burg, janë fëmijët që priten sërish të jenë protagonist të rrëfimeve të dhimbshme. Po dje organi i akuzës nuk ka arritur të sjellë dëshmitarët. Para treshes gjyqësore prokurorët dhanë identitetin e tre fëmijëve me të cilët është abuzuar, por nuk janë në gjendje të japin adresat e sakta të tyre. Akuza deklaroi se fëmijët prej disa kohësh janë duke u kërkuar sipas adresave të mëparshme, por pas denoncimit ara kanë lëvizur nëpër rrethe të ndryshme, ose janë marr nga disa shoqata joqeveritare në mbrojtje. Për një prej fëmijëve u deklarua se ndodhet jashtë vendit e pikërisht në SHBA, i larguar me anë të shoqatave ndihmëse. Të ndodhur në këto kushte gjykata arriti vetëm të shtyj seancën gjyqësore për një datë tjetër në pritje të marrjes së dëshmive të tjera. Në rast se organi i Prokurorisë nuk do të mund të gjejë adresat e sakta të fëmijëve, atëherë do t’i kërkoi gjykatës leximin e deklarimeve të tyre të bëra në fazën e hetimeve paraprake. Edhe pse tre fëmijë ende nuk janë gjendur për të dëshmuar, të pandehurit janë të rrezikuar nga akuza. Kundër tyre ka dëshmuar jo vetëm pjesa e madhe e fëmijëve, por edhe vet drejtuesi i qendrës, David Braun. Ky i fundit ka rrëfyer mënyrën se si ka mësuar faktet tronditëse. Anglezët akuzohen se për disa vite me radhë kanë abuzuar seksualisht me fëmijët e qendrës bamirëse që drejtonin. Sipas dëshmive të vet fëmijëve, protagonisti kryesor i këtyre abuzimeve është Dino Kristodulu dhe David Braun. Për të pandehurin tjetër, akuzat janë më të zbutura. Fëmijët janë shprehur se Robin Arnold nuk i ka abuzuar drejtpërsëdrejti, por në disa raste ka ushtruar dhunë fizike dhe ka qenë në dijeni të fakteve tronditëse. Bëhet fjalë për skandalin seksual të zbuluar në vitin 2006 dhe të filluar në vitin 2004 në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij”.

Akuzat e të miturve

“Na zgjonin për seks

pas orës një të natës”

“Na rrihnin, na jepnin bukë një herë në ditë për të thënë që në të shumtën e rasteve na linin edhe pa ngrënë. Na bënin moral për të mos nxjerrë jashtë dyerve të shoqatës asnjë fjalë lidhur me atë që ndodhte. Jetonim si në ferr, por nuk kishim se ku të venim”. Kjo është një pjesë e dëshmisë së dhënë në gjykatë me anë të videokonferencës nga dy fëmijë të moshës 9 dhe 14 vjeç, të cilët janë mbajtur dhe trajtuar në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij”. Por kjo është pak. Fëmijët kanë treguar tmerret që kanë kaluar kur abuzoheshin seksualisht nga drejtuesit e qendrës. Kanë qenë të dy pothuajse të një mendimi. “Me ne kanë abuzuar Dino Kristodulu dhe David Braun. Ne çdo ditë duhej të shtriheshim në krevat sepse ashtu donin xhaxhi Davidi dhe Dino. Duam të themi se të dy këta kanë abuzuar me ne pas orës një të natës. Kur të gjithë fëmijët flinin, ata vinin dhe na zgjonin me radhë. Na merrnin në dhoma të veçanta dhe abuzonin me ne duke bërë gjëra të ndyra. Ne ishim të detyruar të qëndronim ndonëse qanim, por askush nuk na ndihmonte. “Ushqimi që hanim në fillim na u përgjysmua. Herë na jepnin dhe herë na linin pa ngrënë. Na thoshin të mos tregonim për ato që ndodhnin në qendër. Deri sa erdhi momenti dhe nuk mbajtëm më pasi, ishim abuzuar në mënyrë të keqe”, kanë pohuar dy fëmijët në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›