E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: S’do të lejojmë djegien e fletëve të votimit, bojkot zgjedhjeve te pjesshme

07/10/2009  PS kundërshton dispozitat ligjore ndaj materialeve zgjedhore

Kodi Zgjedhor i jep të drejtën KQZ-së për asgjësimin e materialeve zgjedhore

Lidershipi socialist përqendrohet në një tjetër çështje në kundërvënien ndaj mazhorancës qeverisëse, konkretisht te fati i materialeve zgjedhore. Sikundër është e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, institucioni qendror i zgjedhjeve ka të drejtën e asgjësimit të tyre sipas afateve ligjore. Por një veprim i tillë kundërshtohet me forcë nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili shkon më tej duke paralajmëruar mazhorancën për pasojat që do të sillte asgjësimi i fletëve të votimit.

Qëndrimi

Respektimi i Kodit Zgjedhor për asgjësimin e fletëve të votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka sjellë një tjetër përplasje mes opozitës parlamentare dhe mazhorancës qeverisëse. Në gjykimin e kreut socialist një veprim i tillë do të konsiderohet si një lëvizje për të fshehur të vërtetën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se prekja e kutive të votimit apo – larg qoftë për të dhe për ushtarin e tij fanatik në krye të KQZ-së! – asgjësimi i kutive ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e tyre jo vetëm që nuk do ta shpëtojë këtë pushtet të korruptuar e korruptues nga përballja me të vërtetën e popullit opozitar, por do të konsiderohet prej nesh si një shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës”, - vuri në dukje kryetari Rama gjatë një konference për shtyp. Kështu, edhe pse një hap i tillë në bazë të Kodit Zgjedhor duhej të ishte marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, socialistët shpejtojnë të shprehin kundërshtinë ndaj një veprimi të tillë. Ndërkohë nga ana e tij ky institucion nuk ka filluar procedurat për asgjësimin e fletëve të votimit nisur dhe nga klima e tensionuar në skenën politike. Me sa duket, kampi rozë nuk do të ketë mundësinë që ta përdorë këtë si alibi të fortë për të justifikuar kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit, pavarësisht se asgjësimi diktohet nga ligji.

Protesta

Kreu i PS-së në deklaratën e djeshme nuk vonoi të bëjë me dije arsyet pse vjen organizimi i protestës që do të zhvillohet ditën e shtunë. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se shurdhëria ndaj kërkesave tona legjitime për të normalizuar jetën parlamentare të vendit vetëm po e rëndon e do ta rëndojë edhe më shumë përgjegjësinë e tij. Të shtunën pasdite më 10 tetor populli opozitar do t’ia bëjë këtë apel kryeministrit pa legjitimitet edhe përpara zyrës së tij”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij. Madje, në vazhdën e këtyre thirrjeve kryetari i socialistëve nënvizoi se “Sali Berisha të kuptojë se Partia Socialiste nuk hyn në Parlament pa u plotësuar kërkesa e patjetërsueshme për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe me të gjithë opozitën ne do të përshkallëzojmë manifestimin e protestës për shkeljen e ligjit që garanton hapjen e kutive të votimit”. Sipas tij, manifestimi opozitar i së shtunës së 10 tetorit është vetëm fillimi i një përpjekje që do të shtrihet në çdo rrugë të vendit, në qoftë se pushteti i lindur nga grabitja e votave nuk hap kutitë e 28 qershorit.

Kundërvënia

“Neve na intereson Shqipëria evropiane për të gjithë dhe jo Shqipëria evropiane për Sali Berishën, Ilir Metën, Fatos Nanon dhe për kompaninë e tyre, bashkë me oborret e tyre, klanore dhe familjare”, - u shpreh dje Rama gjatë fjalës së tij, duke mos kursyer në këtë mënyrë akuzat jo vetëm për drejtuesit e ekzekutivit, por dhe ndaj ish-paraardhësin e tij, duke ngritur dhe përfshirë në këtë skemë, pikërisht këta tre politikanë, që shihen tashmë prej tij dhe mbështetësve të tij si figura që kanë si emërues të përbashkët shfrytëzimin e pushtetit për arsye personale. Ndërkohë, duke iu referuar asaj çfarë përfaqëson partia e drejtuar prej tij, Rama u shpreh se “të shtunën pasdite, 10 tetor, kjo betejë qytetare hyn në një fazë të re dhe ne do të jemi në krye të saj, sepse përfaqësojmë shpresën, nevojën, bindjen e palëkundur se pa i dhënë fund historisë së dhunës mbi votën e qytetarit shqiptar, pa rivendosur barazinë para ligjit dhe pa çliruar çdo qytetar nga hija e hakmarrjes politike të pushtetit të radhës nuk ka Shqipëri evropiane për të gjithë”.

Zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit

Socialistët bojkotojnë garën

Kupola rozë pritet të vendosë zyrtarisht

Kupola rozë do të vendosë zyrtarisht mbi pozicionin e kësaj force politike karshi zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. Kështu, socialistët ndodhen përballë një tjetër vendimi jo pak të rëndësishëm, në një fazë të tillë ku është fokusuar axhenda politike e Partisë Socialiste. Ndërkohë që, edhe pse ende nuk ka një vendim përfundimtar të marrë nga strukturat e larta drejtuese të kësaj force politike, burime pranë selisë rozë bënë me dije se momentalisht PS-ja është e vendosur për të bojkotuar një proces të tillë zgjedhor. Ky qëndrim argumentohet pikërisht me zhvillimet që ndodhën në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, që sipas socialistëve u manipuluan duke tjetërsuar vullnetin e votuesve shqiptarë. Në këtë mënyrë, për sa kohë që sipas tyre nuk ka transparencë për këto zgjedhje, kjo forcë politike nuk mund të jetë pjesë e një tjetër procesi zgjedhor. Pak ditë më parë Presidenti Bamir Topi dekretoi datën në të cilën votuesit shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në 5 njësi të qeverisjes vendore, drejtuesit e të cilave dhanë dorëheqjen për shkak të kandidimit për deputet në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Por njëkohësisht dekretimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme i jep të drejtën institucionit qendror të zgjedhjeve të nisë punën për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, ku hapi i parë lidhet pikërisht me regjistrimin e subjekteve politike që do të jenë pjesë e një garë të tillë. Ndërkohë në bazë të nenit 29 të Kodit Zgjedhor, pika gjashtë përcakton qartë se “në rastet e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme KZAZ-ja ngrihet jo më vonë se 10 ditë nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve”. Kësisoj, mbeten dhe pak ditë për t’u parë nëse socialistët do të jenë apo jo pjesë e garës së 15 nëntorit.

Mbledhja me deputetët

Ligjvënësit socialistë u mblodhën dje në selinë rozë për të diskutuar mbi organizimin e protestës së 10 tetorit. Gjatë këtij takimi, ku u vu re mospjesëmarrja e një pjese të përfaqësuesve të grupit kuvendor socialist, u konfirmua si orari i zhvillimit të kësaj proteste, ashtu dhe sheshi, ku pritet që në orë 17:00 të së shtunës socialistët të mbledhin mbështetësit e tyre në sheshin përpara Kryeministrisë.

Takimi

Ministri Meta takon homologun serb Jervemiç

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka zhvilluar ditën e djeshme në Budapest një takim me homologun e tij serb, ministrin e Jashtëm Vuk Jeremiç. Gjatë këtij takimi shefat e diplomacive të dy shteteve kanë biseduar rreth bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe integrimit në Bashkimin Europian. Përmes një konference të përbashkët për shtyp ministrat e Jashtëm Meta e Jeremiç kanë folur për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe u shprehën të gatshëm për marrëveshje të reja bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kreu i diplomacisë serbe ka ftuar ministrin Meta për një vizitë zyrtare në Beograd. Gjatë fjalës së tij ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç ka deklaruar se e ardhmja e dy vendeve është integrimi i tyre i plotë në Bashkimin Europian. Të njëjtën gjë ka evidentuar edhe ministri shqiptar i Jashtëm Ilir Meta, i cili është shprehur entuziast për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe Serbisë. Meta nënvizoi se qeveria shqiptare është e angazhuar për të kompletuar kuadrin ligjor për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian. Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor u mblodhën ditën e djeshme në një samit në kryeqytetin hungarez, Budapest. Në njoftimin paraprak nga zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk theksohet nëse në këtë takim është prekur apo jo çështja e Kosovës. Beogradi zyrtar që në fillim nuk e ka njohur dhe ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, madje ka kërkuar mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›