Prokuroria te nise hetimet Ruli ka shkelur ligjin
Rikthehet fushata antikorrupsion e Partisë Socialiste. Ndërprerja prej disa javësh e akuzave të forta ndaj përfaqësuesve të qeverisë janë rishfaqur dje, duke u radikalizuar deri në neglizhencë me pasojë humbjen e jetës. Deputeti socialist Eduard Shalsi, duke folur për situatën në miniera, ka nënvizuar raste të korrupsionit ku emri i ministrit Genc Ruli figuron sërish si protagonist. “Ashtu si në rastin e koncesioneve, ashtu si në rastin e licencave për HEC-et, ashtu si në rastin e privatizimeve korruptive, kjo aferë sërish mban firmën e Genc Rulit. Ndryshimi i vetëm është se në këtë rast, ministri Ruli nuk ka shkaktuar vetëm dëme të konsiderueshme financiare, por ka toleruar edhe humbjen e jetës së minatorëve të Bulqizës në emër të përfitimeve të kompanisë ‘ACR’ dhe të përfitimeve të tij personale”, tha Shalsi. Pas formulimit të akuzës, Shalsi ka bërë një renditje të çështjes dhe dinamikës së saj sipas logjikës së supozuar të abuzimit. “Në mënyrë aspak transparente, vetëm pak ditë pas grabitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, më 9 korrik 2009, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka miratuar kërkesën e kompanisë ‘ACR’ për ndryshimin e afateve të investimit prej 13 milionë eurosh. Miratimin e këtyre ndryshimeve Genc Ruli nuk ka marrë mundimin as ta kalojë për miratim në Kuvend, duke shkelur me të dyja këmbët ligjin shqiptar”, tha Shalsi. Bazuar te ky fakt deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, përveç konstatimit të një afere që nxit dyshime të forta për abuzime, sjell në vëmendje një shkelje të hapur ligjore nga ana e një ministri të qeverisë “Berisha”. Në rrafshin institucional, akuza socialiste është shërbyer si një promemorie për Prokurorinë, për sa kohë Shalsi nuk ka munguar që të kërkojë nga kjo e fundit marrjen e Genc Rulit si të pandehur. “Në fund një pyetje për Prokuroren e Përgjithshme: Çfarë tjetër duhet të bëjë një ministër në shkelje të ligjit për t’u marrë i pandehur?”, është shprehur deputeti socialist.